Të tjera detaje dalin në dritë nga krimi që tronditi sot fshatin Xhafzotaj, në Durrës, ku një 45-vjeçar vrau me thikë gruan e tij 33-vjeçare.

Shkak i krimit të rëndë dyshohet të jetë bërë një sherr banal mes çiftit. Lulzim Cuku ka rrëmbyer një thikë nga kuzhina dhe ka goditur nënën e 3 fëmijëve të tij të mitur. Burime policore bënë me dije se Manjola dyshohet se i ka kthyer fjalën burrit dhe kjo ka shkaktuar përshkallëzimin e sherrit që u mbyll me një të vdekur.

Nga plagët e marra, 33-vjeçarja ka humbur jetën.

DurrësLajm ka qenë në banesën e çiftit në fshatin Xhafzotaj, por godina 4-katëshe ishte e mbyllur. Në vilë jetonte vetëm çifti Cuku, ndërsa dy vëllezërit e autorit jetojnë e punojnë në shtetin grek. Të afërmit e çiftit kanë marrë fëmijët dhe trupin e Manjola Cukut dhe kanë mbyllur shtëpinë.

Ceremonia mortore e 33-vjecares që mbeti e vrarë do të zhvillohet në vendlindje në Dibër. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim 45-vjeçarin, që pas kryerjes së krimit është larguar nga shtëpia.