Gjatë vizitës së një dite më parë në Durrës, në një nga pallatet ku ka nisur riparimi i dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, kryeministri Rama i la një porosi të qartë kryebashkiakut në detyrë Zhuljen Varfaj.
Ndërsa pa nga afër punimet që po bëheshin në pallatin shumëkatësh me dëmtime të kategorisë DS2, kreu i ekzekutivit i kërkoi Varfajt të mblidhte edhe njëherë ndërtuesit e pallateve me dëmtime të kategorisë DS3 në qytetin bregdetar.
“Këta të godinave me DS3 duhet t’i thërrasësh edhe njëherë. Ju kemi kërkuar t’i bëni projektet fiks, jua kemi bërë vërejtjet, por nuk do presim pafund. Kështu që hajdeni urgjent”,- ishte porosia e Ramës drejtuar kryebashkiakut të Durrësit.
Ndërsa vizitonte pallatin ku po kryheshin punimet, Rama kërkoi nga Varfaj informacion lidhur me lejet e dhëna nga bashkia dhe nisjen e riparimit të dëmeve, por kryebashkiaku theksoi gjatë fjalës së tij se problematika qëndronte tek pallatet me dëmtime të kategorisë DS3, pasi ata kërkojnë një projekt të mirëdetajuar, pasi kanë dëmtime serioze. Sipas Varfajt, shumë kërkesa për leje janë kthyer mbrapsht, pasi projektet kishin mangësi.
Deri më tani, bashkia e Durrësit ka dhënë 58 leje të përshpejtuara, të cilat sigurojnë rikthimin në shtëpi të 1541 familjeve, pas përfundimit të punimeve.
Kujtojmë se që në ditët e para pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, kryeministri Rama zhvilloi në ambientet e Këshillit Bashkiak Durrës një takim me ndërtues, të cilëve u kërkoi riparimin e dëmeve në pallatet e tyre, në të kundërt do të përfundonin në burg.
Tashmë, më shumë se dy muaj pas tërmetit, procesi i riparimit të pasojave që ai la pas po ecën mjaft ngadalë. Në bashkinë e Durrësit janë rreth 2000 godina me dëmtime të kategorisë DS2 dhe DS3 (dëmtime që nuk prekin strukturën) dhe 800 të tjera me dëmtime DS4 dhe DS5 (dëmtime mjaft të rënda).
Bashkia e Durrësit nuk ka bërë asnjëherë publike emrat e ndërtuesve që kanë shprehur gatishmërinë dhe kanë marrë përsipër riparimin e dëmeve, ndërkohë që me qindra qytetarë kanë ngritur shpeshherë shqetësimin se shumë ndërtues nuk kanë shkuar për t’i parë dëmtimet, madje as nuk u hapin telefonin. Në Durrës ka raste ndërtuesish që kanë ndërruar jetë, apo kanë ikur jashtë shtetit, ndërkohë që deri më tani asnjë përgjigje konkrete nuk ka pasur nga institucionet shtetërore për qytetarët e mbetur pa shtëpi.
Në dy vizitat e fundit në Durrës, kryeministri Rama është ndalur vetëm tek pallatet që po riparohen (para 3 javësh ishte tek pallati tek ish-lulishtja 1 Maji), por ndërkohë janë me qindra pallate në Durrës, Plazh, Shkozet etj, që kanë mbetur po njësoj si në datë 26 nëntor, për të mos thënë që janë dëmtuar edhe më shumë, pasi lëkundjet e tokës vazhdojnë.
Sa familje ishin gjithsej në pallat?
Në fillim të vizitës së tij në Durrës, Rama u shoqërua fillimisht nga zv/ministrja Rovena Voda, e cila nisi me raportimin e situatës në pallatin shumëkatësh që po riparohej. Ndërsa informonte kryeministrin Voda deklaroi se në pallat ishin gjithsej 175 apartamente dhe të gjitha punimet pritej të mbaronin në muajin qershor. Nga ana tjetër, kryebashkiaku në detyrë Zhuljen Varfaj, që më pas zuri vendin e Vodës në raportim i tha Ramës se në këtë pallat janë 147 apartamente. Një diferencë prej 28 apartamentesh, në dy raportime të ndryshme në harkun kohor të tre minutave.
Ndoshta në vizitën e rradhës të Ramës do mësohet numri i saktë i apartamenteve që do t’u rikthehen qytetarëve pas riparimit të pallatit…
M.B.





