Një efektive policie, F. Z, 29 vjeç, u arrestua ditën e sotme nga policia italiane, pasi u kap me doza kokaine në makinë bashkë me një shqiptar tjetër, po 29-vjeçar.
Lidhur mbi rastin në fjalë ka reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila pranon se shtetasja e ndaluar ka qenë pjesë e trupës policore deri në vitin 2017, por më pas u largua, pasi nuk fitoi më të drejtën për t’u pajisur me Çertifikatë Sigurie..
Reagimi i Policisë së Shtetit:
Në lidhje me një shtetase të arrestuar me lëndë narkotike nga autoritetet policore italiane, e cila është prezantuar si punonjëse e Policisë shqiptare sqarojmë opinionin publik se:
Shtetasja e arrestuar F. Z., 29 vjeçe nuk është më pjesë e Policisë së Shtetit që prej vitit 2017.
Ajo ka qenë efektive në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe në vitin 2017 është larguar nga Policia e Shtetit pasi nuk fitoi më të drejtën për tu pajisur me Çertifikatë Sigurie.
Policia e Shtetit ka shkëmbyer informacion në kohë reale me homologët e Karabinierisë në Milano, nëpërmjet Oficerit Ndërlidhës në Bari për rastin në fjalë.
Policia e Shtetit është e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët me qëllim evidentimin dhe goditjen e elementëve kriminal që ushtrojnë veprimtari kriminale.





