Bashkia e Durrësit ka reaguar në lidhje me protestën e banorëve të lagjjes nr.5, zhvilluar këtë të shtunë.

Bashkia sqaron se pallati është shpallur i pabanueshëm dhe kështu figuron edhe në sistem:

“Bashkia e Durrësit e ka dërguar këtë rast për ekspertizë të thelluar në Institutin e Ndërtimit nga ku pritet një përgjigje. Është ekspertiza e këtij instituti që do të vendosë çfarë do të ndodhë me këtë godinë. Ky pallat është i rrethuar me shirita për të mos lejuar afrimin e njerëzve në të pasi përbën rrezikshmëri”.

Më tej, në sqarimin e bashkisë, bëhet e ditur se banorët kanë vijuar normalisht marrjen e bonusit të qirasë, ku deri tani 15 familje nga ky pallat kanë kaluar për likujdim të pagesës ndërsa pjesa tjetër janë në proces.

“Cilido nga këta banorë që ka paqartësi lidhur me bonusin duhet të paraqitet në njësinë administrative përkatëse ku do të marrë informacionin e nevojshëm”, përfundon reagimin e saj bashkia e qytetit.

Paraditen e sotme, këta banorë dolën para mediave në Durrës duke protestuar pasi kanë mbetur të pastrehë që prej 26 nëntorit të 2019-s. Banorët thanë se pallati i tyre ku banojnë 32 familje, ka ceduar 60 centimetra, ndërkohë që deri tani, sipas tyre nuk ka asnjë ekspertizë nga Instituti i Ndërtimit.