Pallati numër 2005 në Durrës është një prej atyre që është dëmtuar rëndë nga tërmeti i dy muajve të shkuar. Nga aktkonstatimi i parë, pallati rezulton me dëme të pakta. Por 32 familje të këtij pallati në lagjjen numër 5 në Durrës, kërkojnë ekspertizë të thelluar për godinën, e cila sipas tyre, është një rrezik i madh potencial për jetët e tyre.
Banorët kanë dalë para mediave në Durrës duke protestuar pasi kanë mbetur të pastrehë që prej 26 nëntorit të 2019-s. Banorët thonë se pallati i tyre ka ceduar 60 centimetra, ndërkohë që deri tani nuk ka asnjë ekspertizë nga Instituti i Ndërtimit.
“Duam të dimë çfarë do të bëhet me pallatin tonë, pasi privatisht kemi sjellë ekspertë italianë dhe amerikanë, të cilët na kanë thënë se është i rrezikshëm, por nga Instituti i Ndërtimit nuk na kanë ardhur”, thotë një banor.
Banorët thonë se nga aktkonstatimi i parë që u bë nga ana e bashkisë, thuhet që nuk ka asnjë problem, nga këqyrja me sy. Ndërkohë që banorët të cilët kanë frikë të banojnë aty, duan të dinë çfarë do të bëhet me pallatin e tyre.
Një tjetër banore thotë se ata kanë ikur nga pallati, janë larguar nëpër të afërm dhe në banesa me qira, ndërkohë që nuk kanë marrë edne as bonusin e qirasë. “Na ikur mundimi i një jete të tërë, sepse na u shkatërrua gjithçka”, thotë një banore.
K.H.





