Krimi në familjen shqiptare ndodh sërish. Një grua 43-vjeçare në Itali e identifikuar si Laureta Zyberi, është gjetur e pajetë nga punëdhënësi i saj, pranë bashkëshortit të plagosur.
Ajo punonte për mirëmbajtjen e një apartamenti në Furlani. Sipas hetuesve, është pikërisht burri i saj, Eduart Zyberi, 54 vjeç, autori i krimit. Paraprakisht dyshohet se vrasja ka ndodhur gjatë një sherri.
Alarmin e ka dhënë pronari i cili kur arriti në shtëpinë e tij, pa trupin e 43-vjeçares të shtrirë në tokë dhe pranë saj burrin e mbuluar nga gjaku.
Policia e ka vënë në pranga shqiptarin tek i cili ka ngritur dyshimet e vrasjes. Ai ndodhet i shtruar në spital pasi ka një plagë të madhe në bark.
Hetuesit dyshojnë se menjëherë pasi i mori jetën gruas, shqiptari tentoi vetëvrasjen.





