18 emigrantë irakenë, iranianë e nga Kurdistani, janë shpëtuar nga mbytja në një operacion të zhvilluar nga Guardia di Financa dhe Roja Bregdetare shqiptare në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Në orën 23 e 40, skafi icili drejtohej nga një qytetar vlonjat, Roland Cenko, 18 milë larg nga Kepi i Selites, ka dhënë alarmin se skafi me të cilin udhëtonin kishte pësuar defect, fuste ujë dhe 19 personat që gjendeshin në bordin e tij rrezikonin të mbyteshin.
Skafi është ndihmuar nga një anije peshkimi e cila ka qenë në zonë deri në momentin që në vendngjarje kanë mërritur anija e Guardia di Financës dhe e Rojes Bregdetare; të nisura nga porti i Durrësit dy anije të Guardia di Financës dhe të Rojes Bregdetare kanë marrë pjesë në operacionin e Kërkim Shpëtimit që u mbyll me sukses në orën 04 e 30 të mëngjesit me shpëtimin e të gjithë emigrantëve që rrezikoheshin të mbyteshin në det.
Në skaf gjendeshin një fëmijë, 5 gra e 12 burra, të cilët janë transportuar në gjendje të mirë shëndetësore në portin e Durrësit. Emigrantët po merren në pyetje nga policia e Durrësit e cila në këtë mënyrë ka zbuluar edhe një rrugë të re të trafikmit të qenieve njerëzore nga trafikantët shqiptarë, të cilët kundrejt shpërblimeve prej mijëra eurosh po transportojnë klandesitnët që largohen nga vendet në konflikt.
Deri tani trafikantët shqiptarë me skafe kanë trafikuar si fillim klandestinë, por me liberalizmin e vizave ky fenomen mori fund, duke bërë që skafet të trafikonin drogë më së shumti drejt Italisë pohojnë burimet policore. Me shtimin e konflikteve në vendet e lindjes në Irak, Iran , etj trafikantët shqiptarë janë vënë në shërbim të transportit të klandestinësve, të cilët synojnë të kalojnë në Perëndim nëpërmjet Adriatikut, me çdo kusht, duke paguar mijëra euro për udhëtime që nuk janë aspak të sigurta, madje jo pak herë rrezikojnë të mbyten në lundrimet me skafe që bëjnë natën.
K.H.





