Gjykata e Tiranës ka vendosur dënimin me 18 muaj burg nga gjykimi të shtetasit turk Selami Simsek, i arrestuar në të njëjtën ditë me mësuesin turk tashmë të ekstraduar në vendin e lindjes.

Gjykata e deklaroi fajtor të pandehurin për falsifikim të pasaportave dhe vizave. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai do të kryejë 1 vit burg.

I pranishëm në seancë, avokati tha se dënimi është i rëndë dhe ai ka kaluar 10 muaj burgim. Kështu që ai kërkoi që dënimi t’i llogaritet me kohën e paraburgimit.

Vetë shtetasi turk u shpreh se nuk kishte asgjë për të deklaruar. Më 8 janar, Selami Simsek, kërkoi azil në Shqipëri.

“E nis këtë kërkesë për shkak se në Turqi, shteti mendon se jam anëtar i lëvizjes Gylen dhe mendoj se atje mund t’i nënshtrohem keqtrajtimeve”.

Në rrëfim për grupin hetimor Selami Simsek ka treguar dhe rrugën si ka mbërritur në Shqipëri dhe destinacioni Toronto, për të cilën ka paguar 5 mijë euro

Ndërkohë Harun Çelik u depërtua në Turqi mbrëmjen e 1 janarit. Ai u kap dhe u dënua 5 muaj më parë pasi në Rinas hyri me vizë kanadeze false.