Mediat lokale italiane informojnë se autoritetet janë vënë në kërkim të shtetasit shqiptar Viktor Qosja 58 vjeç i cili prej datës 19 janar 2020 ka humbur komunikimin me familjarët.

Zhdukja është komunikuar nga e bija e tij e cila ka informuar se Viktori ishte nisur nga Venezia me trenin e linjës për të mbërritur në Viareggio ku banonte vëllai i tij. Gjatë rrugës treni ka pësuar një defekt dhe pasegjerët janë transferuar të udhëtojnë me autobusa drejt Viareggios.

Nga ky moment Viktori ka humbur çdo komunikim me familjarët.

Autoritetet italiane kanë shpërndarë fotografinë e shqiptarit si dhe kanë nisur praktikën e punës që ndiqet në rastet e personave të zhdukur.

Viktor Qosja është i gjatë 1.70, rreth 75 kg, flokë të bardhë, sy gështenjë e i veshur me xhup blu.

Autoritetet policore në bashkëpunim me policinë hekurudhore kanë nisur kërkimet menjëherë pas denoncimit të së bijës.

Në Prefekturën e Lukës është mbajtur një takim i posacëm me autoritetet mbi këtë rast për të koordinuar punën e gjetjes së tij.

Ndërkohë Policia Italiane u lutet qytetarëve se kushdo që njeh Viktor përmes kësaj fotografije, të informojë autoritetet mbi vendodhjen e tij.