Banesa e oficeres të policisë së Durrësit, 34-vjeçarja Ornela Buraku, është sulmuar me tritol mbrëmjen e shkuar në Durrës nga persona ende të paidentifikuar.
Shpërthimi ka qenë i fuqishëm sa është dëgjuar në shumë zona të qytetit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:35 në lagjjen 17/1 në zonën e ish-Kënetës, ku persona të paidentifikuar kanë hedhur një sasi ekplozivi nga muri i jashtëm në drejtim të banesës së punonjëses së policisë, me detyrë agjente terreni.
Fatmirësisht nga sulmi ka patur vetëm dëme materiale. Policia bëri me dije se si pasojë e shpërthimit është dëmtuar makina e Burakut, tip “Audi”.
Nga marrja në pyetje e efektives, Buraku ka thënë se nuk ka asnjë konflikt me persona të tjerë. Pista e parë e hetimit është ajo e sulmit për shkak të detyrës.
Efektivja ka rreth 15 vite që punon në radhët e Policisë së Shtetit. Për ngjarjen janë shoqëruar deri më tani 10 persona, për t’u marrë në pyetje, ndërkohë që janë sekuestruar kamerat e sigurisë.





