Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka njoftuar përmes një postimi në rrjete sociale lajmin e mirë, se që nga fillimi i vitit, në hartat e prodhuara nga Zyra e Hidrografisë së Britanisë së Madhe, Shqipëria nuk cilësohet më bregdet i minuar.

Pavarësisht përpjekjeve të vendit tonë, në hartat e prodhuara nga institucioni britanik, që pas Luftës së dytë Botërore, bregdeti shqiptar mbante shënimin “Formed mined zone” (ish-zonë e minuar).

Prodhimi i hartave pa pasur më shënimin famëkeq për bregdetin shqiptar është për ministren Xhaçka “një vendim pozitiv me efekte të mëdha, veçanërisht në zhvillimin e turizmit detar në Shqipëri”.

Ndërkohë, në një komunikim zyrtar që komandanti i Flotës Detare shqiptare, Artur Meçollari, ka pasur me autoritetet britanike në muajin tetor të vitit të kaluar, pala shqiptare ka renditur të gjitha ndërhyrjet e realizuar ndër vite, nga 1947 e deri në vitet e fundit për pastrimin e bregdetit nga minat e Luftës së dytë Botërore.

Ndër të tjera, në komunikimin zyrtar theksohet se që nga viti 1947 kanë nisur operacionet e Marinës Shqiptare për të pastruar kanalin e Korfuzit, ndërsa në vitet 1953 dhe 1960 është pastruar e gjithë sipërfaqja e ujërave detare të vendit tonë.

Në letër, Meçollari thekson gjithashtu, se që nga koha e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, vendi ynë ka mikpritur periodikisht anijet e Aleancës Euroatlantike në portet shqiptare, ndërkohë që edhe shtrimi i tubacioneve të gazsjellësit TAP në det në 3 vitet e fundit, provoi që ujërat e Shqipërisë nuk përbëjnë rrezik.

Në fund të letrës, Komandant Meçollari i bën apel autoriteteve britanike që përditësojnë hartat e tyre dhe të heqin shënimin “Formed mined zone” (ish-zonë e minuar) për bregdetin shqiptar.

Komunikimi mes autoriteteve detare të Shqipërisë dhe Zyrës së Hidrografisë së Britanisë së Madhe ka dhënë më në fund rezultatin e shumëpritur për palën shqiptare.

Postimi i plotë:

Që prej 2 Janarit 2020, në hartat e prodhuara nga Zyra e Hidrografisë së Britanisë së Madhe, Shqipëria nuk cilësohet më si bregdet i minuar. Për më shumë se 40 vjet, kjo zyrë, në hartat e publikuara prej saj, të përdorura gjerësisht nga lundërtarët, ruante shënimin “Formed mined zone” (ish zonë e minuar) për bregdetin shqiptar. Falë studimeve profesionale në terren, të Shërbimit Hidrografik të Forcës Detare Shqiptare dhe komunikimit me Zyrën e Shërbimit Hidrografik të Britanisë së Madhe, bregdeti shqiptar nuk përfaqëson asnjë rrezik për lundrim. Këtë fakt e konfirmon, drejtori Ekzekutiv i Zyrës Hidrografike në Britaninë e Madhe, Admiral Tim Lowe, zyra e të cilit ka botuar edhe këtë hartë përfundimtare. Një vendim pozitiv me efekte të mëdha, veçanërisht në zhvillimin e turizmit detar në Shqipëri.