Një ngjarje e rëndë ndodhi disa ditë më parë në Ksamil, ku Sokrat Vata vrau me thikë në lokalin “Principote”, Luis Miguel Varela Mendes, një turist portugez. Pas kësaj ka reaguar edhe “Principote” Mykonos në Greqi, e cila shprehet se nuk kanë asnjë marrëdhënie biznesi apo ndonjë lloj tjetër marrëdhënie me beach-barin në Ksamil.
Në deklaratën e tyre ata thonë se biznesi në Ksamil ka përdorur ilegalisht emrin e tyre, ndërsa thekson se kanë ndërmarrë veprime ligjore. Kjo me qëllim ndalimin e përdorimit të emrit dhe shmangien e asaj që e konsiderojnë konkurrencë të padrejtë.
“Në dritën e një incidenti tragjik që ndodhi së fundmi në qytetin shqiptar të Ksamilit dhe në një dyqan që po përdor ilegalisht emrin tonë të biznesit, sqarojmë, për të shmangur konfuzionin, se PRINCIPOTE MYKONOS nuk ka absolutisht asnjë marrëdhënie biznesi apo tjetër me lokalin e mësipërm shqiptar, i cili po përdor ilegalisht emrin tonë dhe kundër të cilit kemi ndërmarrë veprime ligjore, me qëllim që ta ndalojmë atë të përfshihet në konkurrencë të padrejtë në dëmin tonë, duke ‘korrur’ ilegalisht reputacionin ndërkombëtar që PRINCIPOTE MYKONOS ka fituar gjatë shumë viteve të ofrimit të shërbimeve të nivelit më të lartë”, thuhet në reagimin e ‘Principote’ Mykonos.





