Ky është 47-vjeçari i kërkuar, Xhevair Jonuzi i konsideruar person i rrezikshëm që hapi zjarr në orët e para të mëngjesit ndaj forcave të policisë që kishin shkuar për ta arrestuar.
Operacioni u zhvillua në orët e para të ditës së sotme në fshatin Hoshtimë dhe u mbyll me arrestimin e Jonuzit, i cili ishte dënuar me 25 vite burg për vrasje.
Gjatë vendosjes së perimetrit të sigurisë, 47-vjeçari ka parë forcat e Policisë dhe ka dalë me vrap nga banesa me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante në dorë.
Renea i ka bërë thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit, por shtetasi Jonuzi ka hapur zjarr në drejtim të forcave speciale duke rrezikuar jetën e tyre.
Në proporcion të drejtë me zjarrin e personit, Forcat speciale Renea i janë kundërpërgjigjur për ta neutralizuar dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit Xhevahir Jonuzi mbeti i plagosur në këmbë.
Ekipi i Reneas i ka dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe e ka dërguar menjëherë në spital, ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Po ndaj këtij shtetasi, në vitin 2018, Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.





