880 persona të rinj do të rekrutohen në administratën e shtetit brenda këtij viti. Kjo është vendosur në mbledhjen e sotme të qeverisë. Këshilli i Ministrave ngarkon Departamentin e Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi.
Në VKM janë përcakttuar qartë kategoritë në të cilat do të punësohen nënpunësit e rinj.
VKM-ja e miratuar në mbledhje:
V E N D I M PËR PLANIN VJETOR TË PRANIMIT PËR VITIN 2020 NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, PJESË TË SHËRBIMIT CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim, gjatë vitit 2020, është gjithsej, 880, të ndara sipas kategorive të mëposhtme: a) Për Trupën e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues 3; b) Për kategorinë e mesme drejtuese 59; c) Për kategorinë e ulët drejtuese 150; ç) Për kategorinë ekzekutive 668.
2. Grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm, në kategorinë ekzekutive, janë, si më poshtë vijon: – Shkenca juridike; – Audit i brendshëm; – Shkenca ekonomike; – Shkenca ekonomike/juridike; – Shkenca shoqërore; – Shkenca sociale; – Histori-filologji;
– Shkenca mjekësore; – Veterinari; – Agronomi; – Shkenca biologjike dhe të ngjashme me to; – Kimi; – Shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme; – Shkenca inxhinierike;
– Arkitekturë; – Arkeologji dhe restaurime; – Artet e bukura; – Gjeodezi; – Shkenca ekzakte; – Shkenca edukimi; – Mësuesi; – Arsim i lartë ushtarak/policor; – Arsim i lartë.
3. Institucionet e administratës shtetërore, ku planifikohen vendet vakante gjatë vitit 2020, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA





