Shoqata “Udhëtim i Lirë – Liberi di Viaggiare” zhvilloi takimin hapës të projektit “Kompostimi në fermë – Për zbutjen e ndryshimeve klimaterike”, që financohet nga Ambasada Bullgare, në Tiranë dhe ka si qëllim përmirësimin e ciklit të menaxhimit të mbetjeve, duke kompostuar mbetjet organike në shkollat dhe fermat e Qarkut Durrës.

Takimi u zhvillua në ambientet e Qendrës Rinore Multifunksionale “Udhëtim i Lirë” dhe në të morën pjesë: Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë Raytchevski, Atashe Maria Peeva, koordinatore e projektit dhe Drejtore Ekzekutive e shoqatës Miranda Mansaku, eksperti i projektit Prof. Dr. Shpend Shahini, përfaqësues të fermave të Njësisë Administrative Sukth dhe përfaqësues të shkollave të qytetit të Durrësit, pjesëmarrëse në projekt.

Gjatë takimit u nënshkrua dhe marrëveshja mes palëve, z.ambasador dhe koordinatores së projektit, e cila shpalosi para të pranishmëve qëllimet kryesore të projektit. Ai do të zgjasë 12 muaj dhe do të përfshijë në mënyrë të drejtpërdrejtë 5 ferma dhe 4 shkolla të mesme të qytetit.

Gjatë kësaj periudhe janë planifikuar një sërë aktivitetesh duke përfshirë implementimin e protokollit të kompostimit në ferma, trajnimin e qeverisë së nxënësve të shkollave pjesëmarrëse për problemet dhe çështjet mjedisore dhe ngritjen e Eko Klubeve, informimin e të rinjve dhe fermerëve për rëndësinë e kompostimit dhe përdorimit të biomasës. Fermerët do të marrin njohuri profesionale për teknikat e reja të kompostimit dhe mundësitë e përdorimit të tij si pjesë e ekonomisë qarkulluese në fermat e tyre, ndërsa nga ana tjetër të rinjtë do të kenë mundësi ta shohin nga afër gjithë procesin e kompostimit dhe do të krijojnë kështu një lidhje më të ngushtë me mjedisin.

Por se si ka lindur ideja e këtij projekti kompostimi, koordinatorja dhe njëherësh drejtoresha e shoqatës “Udhëtim i Lirë”, Miranda Mansaku, tregon më tepër detaje, që mund ta ndiqni në videon më poshtë.