Gjykata e Tiranës në gjyqin paraprak që u zhvillua ditën e sotme ka vendosur pushimin e çështjes për kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD-së, ish-sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani dhe financierin e partisë Ilir Dervishi.
Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë Berisha, Eduard Halimi dhe përfaqësuesi ligjor i PD-së Ivi Kaso ishin avokatët e Lulzim Bashës në seancën e gjyqit paraprak që u zhvillua sot. Halimi përshëndeti vendimin e drejtësisë, ndërsa u shpreh më tej se gjithçka ishte e sajuar.
“Gjithçka ishte akuzë e sajuar. Nga dy vite hetime nuk kishte asnjë lidhje PD-ja dhe zyrtarët e saj, as në Shqipëri dhe as në një vend tjetër. Vepra penale dhe fakti nuk ekzistonte. Vendimi i sotëm ishte një vendim drejtësie për t’u përshëndetur. Ne jemi avokatët. Ky ishte një vendim që rrëzoi të gjithë gjuetinë e shtrigave. U rrëzuan të gjitha akuzat ndaj PD-së. Është pushuar akuza, fakti nuk ekziston”- tha ai.
I vetmi i pranishëm në Gjykatë, Arben Ristani në një deklaratë për mediat në përfundim të seancës gjyqësore u shpreh se u vërtetua se akuza ishte politike, duke e cilësuar si një turp të prokurorisë shqiptare. Ristani shtoi se sado që të ndikojë politika në organet e drejtësisë, drejtësia do të triumfojnë në fund.
“Shumë interesante për të treguar se çfarë ndodh kur Prokuroria bëhet pre e fustrimit për shkak të presionit të politikës. Prokuroria është shembulli konkret. prokuroria u paraqit me dy qëndrime, një që kërkonte të kthehej çështja dhe të shkonte në gjyq, dhe pastaj vjen një urdhët i tretë që përjashton një nga prokurorët një organ i c’organizuar. Unë ju thashë është një akuzë e montuar politikisht që u provua, kanë qenë veprime ligjore nga ana e PD-së, dhe mesa duket se sado të ndikojnë tek drejtësia do ketë njerëz që do japin drejtësi. Kjo është ajo që i mungon kjo popullit shqiptar. Ka paguar para që rrjedhin ga buxheti i saj që i ka deklaruar. Le ti turpërojmë këta prokuror që falsifikim me mosveprim, si mund të ndodh kjo gjë. Nik Muzin s’ka pse kërkon garanci këtu, por shtetit të vetë. Po të kishte të dhëna shteti vet do e kishte marrë në shqyrtim”,- tha Ristani.





