Si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, në Lezhë janë shpallur të pabanueshëm 10 pallate dhe dy institucione për shkak të dëmeve.
Shtatë pallate që kanë pësuar dëme do të hetohen nga Prokuroria e Lezhës. Gjashtë prej tyre janë ndërtuar para viteve ’90, ndërsa njëra është ndërtuar në vitet e fundit.
Në objektet e vjetra do të ketë sërish hetim, pasi rezulton se ka patur ndërhyrje dhe shtesa në katet e para. Si pasojë, ka patur dëme të mëdha në strukturë dhe janë shpallur të pabanueshme.
Pritet që të bëhet procedimi për “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre”.
Ndërsa një pallat 10-katësh u dëmtua për shkak të cilësisë së dobët. Nga tërmeti me magnitudë 6.4 humbën jetën 51 persona dhe mbetën të plagosur qindra të tjerë. Si pasojë e dëmeve në banesa, shumë banorë vijojnë të qëndrojnë në çadra, ndërkohë që qeveria ka njoftuar që brenda vitit 2020, të gjithë do të kthehen në shtëpi.





