Ish-anëtari i Këshillit Bashkiak Durrës, Shkëlqim Fortuzi, përmes një postimi në rrjete sociale bën një propozim për riparimin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kur kanë kaluar 45 ditë nga tërmeti shkatërrimtar, Fortuzi shkruan se “fjalët dhe propogandat boshe kanë mbaruar”, prandaj duhet ndërhyrje konkrete.

Sipas tij, tashmë duhet që “Qeveria të alokojë menjëherë fondet e miratuara në buxhet dhe të aktivizojë për rindërtimin e këtyre quteteve të gjitha firmat e ndërtimit, të cilat janë mbi 500 në rajonet Durrës dhe Tiranë”.

Fortuzi propozon që këto firma të lehtësohen nga taksat dhe tatimet për periudhën që do ndërtojnë objektet e shkatërruara dhe qeveria të bëhet garant tek bankat për t’i financuar këto firma me interes zero, derisa shteti t’i likujdojë plotësisht.

Sipas ish-anëtarit të KB-së, vetëm kështu do të mund të rindërtoheshin shpejt qytetet dhe qytetarët do të mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

Postimi i plotë i Fortuzit:

Përshëndetje Miq!
Kane kaluar 45 ditë nga tërmeti shkatërrimtar i cili goditi qytetet:Durrësi,Shijak,Tiranë,Krujë,Thumanë,Laç dhe dhjetëra fshatra përrth.
Pjesa më e madhe e ndërtesave ne këto qytete janë dëmtuar rëndë dhe ngjajnë si gërmadha të frikëshme.
Mendoj se fjalët dhe propogandat boshe kanë mbaruar.
Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme dhe konkrete për riparimin e ndërtesave të dëmtuara dhe rindërtim të ndërtesave të prishura plotësisht.
Është e pa falshme që deri më sot nuk është riparuar pothuajse asnjë ndërtesë, të gjithë presin, por nuk dinë se çfarë presin..
Sigurisht që e lehtë nuk është për ta zgjidhur, por duhet filluar menjëherë nga puna sepse po afron sezoni turistik dhe rrezikojmë që të largohen turistët nga Durrësi si pasojë e pamjeve të frikëshme.
Qeveria duhet të alokojë menjëherë fondet e miratuara në buxhet dhe të aktivizojë për rindërtimin e këtyre quteteve të gjitha firmat e ndërtimit, të cilat janë mbi 500 në rajonet Durrës dhe Tiranë.
Ç’do firme i takon afërsisht për riparim 1 pallat..
Këto firma të lehtësohen nga taksat dhe tatimet për periudhën që do ndërtojnë objektet e shkatërruara.(bazuar në situacionet e punimeve)
Të bëhet garant qeveria tek Bankat për ti financuar këto firma me interes zero derisa shteti ti likujdojë plotësisht.
Në këtë mënyrë edhe qytetet do të rindërtoheshin shpejt edhe firmat do të krijonin të ardhura.
Qytetarët do të riktheheshin në shtëpitë e tyre duke rigjetur qetësinë, duke ju rikthyer jetës normale.