Zjarri që përfshiu mbrëmë spitalin e Durrësit, fatmirësisht u neutralizua në kohë dhe nuk përfundoi me lëndime në njerëz, por vetëm me asfiksimin e 5 pacientëve, të cilët janë dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë, për mjekim të specializuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Drejtoresha e spitalit rajonal të Durrësit, në një prononcim për gazetarët mëngjesin e sotëm, sqaron dhe rrethanat se si ra zjarri fillimisht në orën 00:25, duke dyshuar se bëhet fjalë për një shkëndijë elektrike të rënë në panelin elektrik të katit të parë që ka komunikuar edhe me panelet e tjera.

Shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe personeli kanë bërë të mundur evakuimin e të gjithë pacientëve nga të katër katet e pavijonit duke i transferuar në një pavijon tjetër.

Drejtoresha e Spitalit, Nadire Jani, thotë se gjysma e anës së djathtë të spitalit funksionon normalisht ku ka edhe energji elektrike, teksa pritet që me përfundimin e hetimeve të pastrohet pjesa tjetër e spitalit dhe pacientët e zhvendosur në pavijonet e tjera të futen brenda amvbienteve.

“Kjo situatë nuk përbën ndonjë problem të madh, pasi situata është nën kontroll edhe aktiviteti vazhdon normalisht. Jemi të shqetësuar vetëm pse duhet të ndodhin këto probleme me spitalin tonë”, tha Jani.

Edhe komandanti i shërbimit zjarrfikës, Fatmir Tare, tha për “DurrësLajm” se është bërë e pamundur që problemit të ndodhur t’i shkohej deri në fund, teksa pritet që grupi hetimor të zbardhë ngjarjen me profesionalizëm.