Fëmijët e Durrësit duket se e kanë më të vështirë se të rriturit të kalojnë traumën që përjetuan pas tërmetit nëse nuk do të trajtohen me psikologë dhe specialistë të mirëfilltë. Me qindra vogëlushë që i shpëtuan lëkundjeve dhe kanë dalë nga banesat e rrënuara, në mendje mbajnë të shenjuar atë natë të errët në të cilën janë zgjuar, pasi muret e shtëpive u janë shembur.

Një shtëpi e zezë, e mbuluar nga mjegulla dhe re të errëta, një hotel i kuq, me barin jeshil dhe diellin që shndrin…

Këto janë vetëm disa prej vizatimeve që vogëlushët e Durrësit i kanë hedhur në letër, ashtu siç i kanë përjetuar, ditët e tmerrit.

Sot fëmijët që janë strehuar në hotele kanë nisur shkollën dhe fare pak prej tyre janë në strukturat hoteliere, aty ku u hapën programe shkollore të posaçme për fëmijët që kaluan trauma nga tërmeti.

“Mbi 25 vogëlushë kanë qëndruar tek hotel “Dolce Vita”, ndërsa shumë prej tyre prej momentit kur mbërritën dhe deri disa ditë më pas nuk arrinin të flisnin dhe as të artikuloheshin për shkak të traumës që kishin kaluar” – thonë psikologët, të cilët po trajtojnë fëmijët që janë strehuar në hotele.

Vogëlushët me prindërit dhe të afërmit e tyre në hotele gjetën një shtëpi e një shkollë të munguar.

E jo vetëm kaq, por të miturit, pas frikës që përjetuan nga tërmeti shkatërrimtar, kanë dëshirë që të hyjnë në banesa të reja një katëshe. Frika ende nuk është larguar…

Ndërkohë që edhe programi për trajtimin psikologjik të fëmijëve në hotele ka përfunduar, e bashkë me të edhe afati që ata duhet të qëndrojnë në hotele.

6 janari ishte dita kur familjarët duhet të largohen nga hotelet për në banesa me qira. Po nuk janë larguar, sepse shtëpi me qira nuk kanë gjetur dhe bashkia ende nuk i ka miratuar bonusin e qirasë.

K.H.