Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me incidentin e ndodhur në Vuno me gazetarin Arjan Konomi, i cili tha se e kanë sulmuar truprojat e kryeministrit dhe më pas i kanë marrë edhe telefonin. Këtë version, Rama e ka hedhur poshtë, duke e quajtur Konomin një të përdalë që bëri para pasqyrës së tij viktimën e dhunuar. Në reagimin e tij, Rama thekson se Arjan Konomi shau dhe bullizoi bashkëshorten e tij Linda Ramën dhe djalin e tyre Zaho Ramën.
“JA QË PËR FAT TË MIRË KA EDHE NJË VIDEO TJETËR, e cila tregon krejt të kundërtën e videos që një dhunues i lirisë së të tjerëve paska vrapuar të tregojë botërisht, duke bërë para pasqyrës së tij viktimën e dhunuar, duke shfrenuar fantazinë dhe duke sharë si i përdalë një grua e një nënë, të cilën e bullizoi bashkë me fëmijën e saj në mes të rrugës – ku ngjarja u zhvillua krejt ndryshe nga rrëfimi në pasqyrë dhe u përhap pastaj në kanalet sociale si një tjetër gënjeshtër e madhe e luftës liridashëse kundër regjimit imagjinar. Fatmirësisht këtë herë ka një video demaskuese të gënjeshtrës, po imagjinojeni se sa herë të tjera gënjeshtra bën kërdinë mbi të vërtetën nëpër pasqyrat ku kujtojmë se informohemi,” tha shkruan Rama në Facebook.
çfarë tha më herët Arjan Konomi?
Gjithë Vunoi u zgjua sot me gjoba për makinat. Më vonë, pas orës 12:00, dola për të mbledhur fiq dhe, kur u ktheva, pashë familjen e kryeministrit dhe eskortën e tij. E gjithë eskorta kishte parkuar në zonën ku ndalohet parkimi, ndërsa policia rrinte aty. Unë nisa të bëja një video dhe i thashë policisë: Pse nuk e gjobitni edhe kryeministrin, siç keni gjobitur Vunoin para pak orësh? Në atë moment Rama më thirri dhe u afrova. Më tha: ‘Ulu’. I thashë: ‘Si do t’ia bëjmë ne për parkimin? Ky është shqetësimi im’. Nuk përdora fjalë ofenduese.
Ai më ftoi të ulesha, por nuk pati kohë, sepse zonja Linda Rama, me një arrogancë dhe histerizëm, më tha ta lija të qetë. Si një nëpërkë, m’u hodh në fyt, aq sa tronditi edhe djalin e saj me reagimin që pati. Unë mbeta dhe i thashë: ‘Po të jap disa fiq’. Por ajo m’u kthye duke më thënë: ‘E di ti se ku t’i fus ato fiq?’ Shyqyr që kisha mbledhur fiq, që janë të butë; imagjinoni sikur të kisha mbledhur dardha. Kur po mendoja këtë gjë, më hidhen nja katër bodyguardë, më rrëmbejnë telefonin, ndërsa Linda bërtiste në anën tjetër, në mes të fshatit. Videot m’i fshinë nga telefoni dhe më shoqëruan me një furgon policie, me ‘Shqiponjat’, në Komisariatin e Himarës





