Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe ministrin e Financave Petrit Malaj, po mbajnë një takim me përfaqësues të supermarketeve dhe furnitorëve kryesorë në vend, për të ndezur së shpejti “Pasqyrën e Çmimeve”, një platformë e re digjitale për transparencën e çmimeve.
“Ne duam të kuptojmë marzhet që krijohen në zinxhirin e formimit të çmimit, që nga momenti i prodhimit deri te konsumatori i fundit, apo nga importi deri te konsumatori i fundit. Në radhë të parë duam të kuptojmë marzhet ku ne mund të ndërhyjmë me politikat tona fiskale, që të lehtësojmë sadopak barrën për konsumatorin. Nga ana tjetër duam të kuptojmë cilët janë sektorët që formojnë zinxhirin dhe nëse marzhet janë abuzuese. Duke bërë një analizë të marzheve, edhe vetë ne kemi një informacion më të thelluar dhe të qartë.”, u shpreh ministri Malaj.
Ndërsa për kryeministrin Edi Rama “eksperiencat që janë analizuar tregojnë që supermarketet kanë gjetur një gjuhë të përbashkët me qeveritë e caktuara”.
“Vetëm një aktor këtu i pranishëm u përgjigj, të tjerët u zhdukën. Besoj jeni të vetëdijshëm që po fitoni më shumë se sa e mban zakoni i mirë në një bashkësi si e jona, që nuk është as Kina e as Amerika e ku ky kapitalizmi agresiv ka filluar të bëhet shqetësues.
Të angazhohemi bashkarisht, jo në parim, por konkretisht! Ju të formoni rrjetin e pikave tuaja të shitjes, për të marrë pjesë në një fazë të parë pilot dhe të niset transmetimi i të dhënave. Të dorëzohet lista e produkteve që përputhen me kategoritë e kësaj faze, me bar cod, me njësi matëse. Kështu, produktet të jenë të krahasueshme. Të ekspozohet lista e plotë e të gjitha dyqaneve dhe adresave. Platforma të marrë çmimin real final për konsumatorin, me TVSH, dhe të dallojë qartë çmimin normal.
Të përcaktohet një standard se sa shpejt ndryshojnë çmimet dhe të përcaktohet nëse platforma të tregojë edhe kur produkti nuk do të jetë në stok. Për qytetarin, ka ardhur koha të jetë shumë e thjeshtë, të shikojë, të krahasojë dhe të zgjedhë. Jo të jetë në errësirë dhe të përballet me çfarë i nxjerr rruga dhe të mos ketë një pasqyrë konkurrence. Do ju lutesha të binim dakord për këto gjëra, askush nuk po thotë që do përcaktojmë çmimet apo se ju nuk do nxirrni fitime, por ka ardhur momenti ta shikojmë njëri-tjetrin në sy”, deklaroi kryeministri Rama.
“Fitoni, por lini të tjerët të marrin frymë!”, u tha ai furnitorëve.





