Kuvendi ka miratuar me 83 vota pro dhe 2 kundër dekretin e Presidentit për emërimin e Ervin Demos në postin e Ministrit të Mbrojtjes.

Emërimi i Demos vjen në kuadër të ndryshimeve të fundit në kabinetin qeveritar të ndërmarra nga kryeministri Edi Rama, i cili largoi nga detyra Besfort Lamallarin. Ky i fundit do të vijojë angazhimin pranë kreut të qeverisë në Kryeministri.

Deri tani në krye të Ministrisë së Pushtetit Vendor, Demo do të ketë tashmë një fushë më të gjerë përgjegjësish. Ai do të marrë në drejtim edhe Ministrinë e Brendshme, ndërsa çështjet që lidhen me pushtetin vendor do të integrohen në strukturën e kësaj ministrie.

Ervini, ministri i deritanishëm i Pushtetit Vendor do të mbulojë ministrinë e brendshme ku do të integrojmë edhe çështjet vendore, diçka që nuk është e re për historikun e ministrinë”, tha Rama.

Besfort Lamallari ishte emëruar në krye të Ministrisë së Brendshme në mars të vitit 2026. Para kësaj detyre, ai kishte shërbyer për një periudhë të gjatë si zëvendësministër. Ai u bë pjesë e kabinetit qeveritar për herë të parë në mandatin e katërt të Ramës, kur më 11 shtator 2025 u emërua ministër i Drejtësisë.

Lidhur me detyrën e re të Lamallarit, Rama ka bërë të ditur se angazhimi i tij në Kryeministri do të jetë i rëndësishëm në kuadër të strategjisë së re të komunikimit të qeverisë me qytetarët përmes disa platformave. Ai do të jetë pjesë e skuadrës së “Besës” dhe “Pasqyrë Albania”.

Sa i përket Ervin Demos, ai mori postin e Ministrit të Shtetit për Qeverisjen Vendore në shtator 2025. Me ndryshimet e reja në strukturën e qeverisë, kjo ministri do të shkrihet me Ministrinë e Brendshme, e cila do të drejtohet prej tij.

Demo ka mbajtur më herët postin e Kryetarit të Bashkisë së Beratit për një mandat. Në karrierën e tij politike dhe administrative përfshihet edhe detyra e zëvendësministrit të Arsimit, post të cilin e mbajti gjatë viteve 2017–2018.