Ashtu siç kishte paralajmëruar një ditë më parë, Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës bojkotoi mëngjesin e sotëm për dy orë (08.00-10.00) seancat gjyqësore në seksionin civil dhe atë penal në në shenjë proteste dhe solidariteti me kolegun e tyre.Elton Shllaku, i cili u plagos pasditen e së mërkurës, në një nga lokalet në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar.
Përjashtim nga ky bojkot bënë vetëm seancat, që kanë për objekt shqyrtimin e masave të sigurimit.
Në një prononcim për mediat, kreu i Dhomës Vendore të Avokatisë Durrës, Lorval Petani, nënvizoi gjatë fjalës së tij se rastet e përsëritura, që vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e avokatëve gjatë ushtrimit të profesionit kërkojnë vëmendje dhe mbrojtje të posaçme institucionale.
Ndërsa plagosja e avokatit dyshohet se lidhet me një konflikt gjyqësor për pronësinë, Dhoma i kërkoi Prokurorisë së Durrësit një hetim të shpejtë, të plotë dhe gjithëpërfshirës, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore.
Çështja e sigurisë së avokatëve gjatë ushtrimit të detyrës pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
M.B.





