Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka njoftuar lidhjen e kontratës me operatorin fitues FUSHA për projektin e transformimit të vijës bregdetare të Durrësit.

Kontrata është lidhur me një vlerë prej 782 milionë lekësh pa TVSH, ose rreth 8 milionë euro, për ndërhyrjen që parashikon transformimin e segmentit bregdetar nga Ura e Dajlanit deri te Kavalishenca në një hapësirë të re turistike, rekreative dhe urbane.

Tenderi ishte rishpallur nga FSHZH me një fond limit prej 833.2 milionë lekësh, ose rreth 8.5 milionë euro.

Projekti zhvillohet në kuadër të fazës së tretë të investimeve për infrastrukturën e tregjeve, hapësirave tregtare dhe zonave model të zhvillimit.

Ndërhyrja parashikohet përgjatë një segmenti bregdetar prej rreth 2.8 kilometrash, duke përfshirë zgjerimin e vijës së plazhit deri në 100 metra drejt detit dhe krijimin e hapësirave të reja publike për banorët dhe turistët.

Plani përfshin ndërtimin e një parku linear të gjelbër, shëtitoreve, zonave multifunksionale dhe infrastrukturës sportive e rekreative, si dhe krijimin e të ashtuquajturave “Green Coves”, hapësira të gjelbra që synojnë të lidhin më mirë qytetin me detin.

Në projekt janë parashikuar gjithashtu bare plazhi, restorante, hapësira pushimi, qendra informacioni për turistët, zona pikniku, qendra shëndetësore, parkime për biçikleta dhe platforma për aktivitete tregtare sezonale.

Një pjesë e ndërhyrjes i kushtohet edhe aktiviteteve kulturore dhe sportive, me amfiteatro në natyrë, fusha tenisi, volejbolli plazhi dhe futbolli, skate park, palestër në ambient të hapur dhe platforma për yoga.

Sipas dokumenteve të tenderit, zona e ndërhyrjes shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 544 mijë metrash katrorë, në një nga segmentet me intensitetin më të lartë të përdorimit urban dhe turistik në Durrës.

Investimi sipas dokumenteve synon të rrisë ofertën turistike dhe të përmirësojë funksionalisht dhe estetikisht bregdetin, duke e integruar atë me infrastrukturën ekzistuese të qytetit dhe me aktivitetet tregtare, rekreative dhe publike./Monitor