Një ditë më parë, ai mbeti i plagosur në dorë pas një të shtëne me armë, sot kolegët e tij kanë vendosur që mëngjesin e së premtes të bojkotojnë për dy orë seancat gjyqësore në Gjykatën e Durrësit.

Plagosja e avokatit Elton Shllaku, pasditen e së mërkurës, në një nga lokalet në lagjen nr.1 të Durrësit, ka vënë në lëvizje Dhomën Vendore të Avokatisë që të dalë me një vendim në shenjë proteste dhe solidariteti me kolegun e tyre.

Në vendimmarrjen e saj, Dhoma e Avokatisë Durrës bën me dije se, bazuar në informacionet e marra nga Drejtoria Vendore e Policisë, dyshohet se plagosja e avokatit lidhet me një konflikt gjyqësor për pronësinë.

Në shkresën e firmosur nga kreu i saj Lorval Petani Dhoma e lidh këtë ngjarje me ushtrimin e detyrës profesionale nga ana e avokatit Shllaku dhe nënvizon faktin se jeta dhe siguria e avokatëve gjatë ushtrimit të profesionit kërkojnë vëmendje dhe mbrojtje të posaçme institucionale.

Dhoma njofton se bojkotimi me 2 orë i aeancave gjyqësore do të bëhet edhe në seksionin civil, edhe në atë penal. Përjashtim do të bëjnë vetëm seancat që kanë për objekt shqyrtimin e masave të sigurimit.

Në vijim të kësaj situate, Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës do t’i drejtohet edhe Prokurorisë për zhvillimin e një hetimi të shpejtë, të plotë dhe gjithëpërfshirës, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore.

Kërkesë për informacion dhe marrjen e masave të nevojshme do t’i drejtohet edhe Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Ervin Hodajt.

Për situatën është njoftuar gjithashtu Dhoma e Avokatisë Tiranë, ndërsa çështja e sigurisë së avokatëve gjatë ushtrimit të detyrës pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.