Autoritetet në Lituani kanë hartuar zyrtarisht një plan emergjence për evakuimin e banorëve të Vilniusit në rast të një kërcënimi të drejtpërdrejtë ushtarak apo krize të rëndë me Rusinë. Sipas strategjisë së re, kufiri me Poloninë parashikohet të jetë një nga tri rrugët kryesore të shpëtimit për popullsinë e kryeqytetit.
Siç raporton media RBC-Ukraine, duke cituar radion publike lituaneze LRT, plani parashikon lëvizjen e civilëve drejt Perëndimit. Ygimantas Soloviovas, përfaqësues i Departamentit të Mbrojtjes Civile në Bashkinë e Vilniusit, konfirmoi se Polonia do të luajë një rol kyç si destinacion strehimi dhe tranziti.
Nga ana tjetër, autoritetet polake në Voivodatin e Podlaskisë kanë nisur përgatitjet në terren për ta shndërruar rajonin në një korridor humanitar për shtetasit nga vendet baltike. Përveç rrugës polake, plani lituanez parashikon edhe korridore evakuimi drejt rajoneve në veri dhe perëndim të vendit, ndërsa urdhri përfundimtar do të varet nga shkalla e rrezikut.
Tensionet mes NATO-s dhe Rusisë janë në kulmin e tyre gjeopolitik, teksa vendet e Balltikut (Lituania, Letonia dhe Estonia) po e shohin vetveten si vijën e parë të frontit në rast të një përshkallëzimi të drejtpërdrejtë me Moskën.
Shqetësimi kryesor i aleancës mbetet i ashtuquajturi “Korridori Suwalki”, një brez i ngushtë toke prej 100 kilometrash që lidh Poloninë me Lituaninë, por që gjendet mes enklavës ruse të Kaliningradit dhe Bjellorusisë, aleates më të ngushtë të Putinit.
Nëse kjo zonë bllokohet nga trupat ruse në një konflikt të mundshëm, tre shtetet baltike do të mbesin të shkëputura në rrugë tokësore nga pjesa tjetër e NATO-s. Përgatitja e korridoreve të tranzitit me Poloninë shihet si një hapur kritik për të garantuar mbrojtjen civile përpara çdo skenari të mundshëm ushtarak.





