Rusia dhe Kina kanë vënë veton ndaj një rezolute të Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila synonte zgjatjen me një vit të mandatit të një paneli ekspertësh që monitoronte zbatimin e sanksioneve ndaj Iranit për programin e tij bërthamor.
Rezoluta u rrëzua me 11 vota kundër 2, ndërsa Somalia dhe Pakistani abstenuan. Vetoja e Rusisë dhe Kinës nuk i heq sanksionet ndaj Iranit, por i jep fund mekanizmit të pavarur të ekspertëve që kontrollonte zbatimin e tyre.
Sanksionet e OKB-së u rikthyen më 27 shtator të vitit të kaluar përmes mekanizmit të njohur si “snapback”, pjesë e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Ato përfshijnë ngrirjen e pasurive iraniane jashtë vendit, kufizime për marrëveshjet e armëve dhe masa kundër zhvillimit të programit iranian të raketave balistike.
Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe aktivizuan mekanizmin “snapback”, duke rikthyer edhe komitetin e sanksioneve të Këshillit të Sigurimit dhe autorizuar panelin e ekspertëve për të kontrolluar zbatimin e masave. Rusia dhe Kina kishin kundërshtuar votimin e rezolutës amerikane. Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, tha se rikthimi i sanksioneve ishte i paligjshëm dhe se për këtë arsye edhe zgjatja e mandatit të panelit nuk kishte bazë ligjore.
Nga ana tjetër, Franca e konsideron zbatimin e sanksioneve një mjet të rëndësishëm për të nxitur Iranin të respektojë detyrimet e tij bërthamore. Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe SHBA-ja po shqyrtojnë edhe mundësinë e krijimit të një ekipi të ri për monitorimin e sanksioneve.
Votimi në OKB vjen në një kohë kur administrata amerikane po shton presionin ekonomik ndaj Iranit. Të enjten, Departamenti amerikan i Thesarit dhe Departamenti i Shtetit njoftuan masa ndaj dy kompanive dhe tre personave që, sipas SHBA-së, kanë ndihmuar subjektet iraniane të shmangin sanksionet dhe të kenë qasje të paligjshme në sistemin financiar ndërkombëtar.
Misioni i Iranit në OKB falënderoi Rusinë dhe Kinën për veton, duke akuzuar SHBA-në dhe aleatët e saj se po përdorin Këshillin e Sigurimit për qëllime politike. Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka deklaruar se nuk ka qenë në gjendje të verifikojë plotësisht gjendjen e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit që prej sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor 2025.
Sipas të dhënave të fundit të agjencisë, Irani kishte rreth 440.9 kilogramë uranium të pasuruar deri në 60 për qind. Pasurimi në 60 për qind është shumë më i lartë se niveli i zakonshëm për përdorime civile, ndërsa uraniumi i pasuruar në rreth 90 për qind konsiderohet i përshtatshëm për përdorim në armë bërthamore.
SHBA-ja argumentoi se mbyllja e panelit të ekspertëve krijon një boshllëk në monitorimin e sanksioneve dhe e bën më të vështirë dokumentimin e shkeljeve. Rusia dhe Kina, ndërkohë, e kundërshtojnë këtë qasje dhe thonë se mekanizmi i sanksioneve është i paligjshëm.





