Rreth 50 ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbërritën mëngjesin e kësaj të premteje në portin e Durrësit, pas një qëndrimi disa ditor në Hagë (nga data 12 shtator), ku shkuan për të pritur vendimin e Gjykatës Speciale për 4 ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Me thirrjen “O Hashim ti ku je, UÇK-në këtu e ke”, me flamujt kombëtarë dhe simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, këta burra përcollën nga porti i Durrësit një mesazh mbështetjeje për ish-komandantët e tyre, por njëkohësisht bënë apel për vetëpërmbajtjeje pas vendimit të Gjykatës Speciale.
Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit Ismail Selmani, i njohur ndryshe si komandant Mala, tha se me vendimin që dha Gjykata Speciale nuk u dënuan krimet e kryera nga Serbia ndaj popullit kosovar, por u dënua lufta guerrile e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Reagimi i këtyre 50 burrave ish-luftëtarë pason atë të qindra mijrave reagimeve të tjera bërë këto ditë në Kosovë dhe Shqipëri.
M.B.





