Aktivisti Mirjan Aliaj u ka bërë thirrje shqiptarëve që të mblidhen për protestë masive para Parlamentit më 8 tetor, kur mazhoranca socialiste pritet të votojë hartën e re territoriale, e cila parashikohet të ketë 46 bashki, nga 61 që ekzistojnë aktualisht.
Në protestën e 112-të para Kryeministrisë, protestuesi u bëri thirrje veçanërisht banorëve të bashkive që do të shkrihen nga reforma territoriale, që me anë të protestës para Parlamentit, mos të lejojnë deputetët të votojnë kundër vullnetit të popullit.
“I bëj thirrje çdo shqiptari që është në këtë bulevard dhe çdo shqiptari që ndjek, por nuk është këtu, në datën 8 tetor, nëse plani i qeverisë nuk do të ndryshojë, do të mblidhemi para Kuvendit të Republikës që mos ta lejojmë qeverinë e Edi Ramës që t’i shkrijë bashkitë. I bëjmë thirrje banorëve nga bashkitë që preken nga harta e re territoriale të jenë në Kuvendin e Republikës dhe mos t’i lejojnë këta deputetë që votojnë kundër vullnetit popullor të ndryshojnë hartën administrative të Shqipërisë”,- tha Alikaj.





