Toka në Durrës vazhdon të lëkundet nga pasgoditjet e tërmetit. Më e forta e regjistruar sot ka qenë ajo e orës 17.37, me magnitudë 3.1 e shkallës Rihter.
Gjatë ditës së sotme janë regjistruar deri më tani 8 tërmete. 3 lëkundjet e regjistruara në orët e para të mëngjesit kanë pasur epiqendër qytetin e Cërrikut dhe Vorës, ndërsa 5 të tjerat që i kanë pasuar kanë pasur të gjitha epiqendër detin Adriatik, afër Kepit të Rodonit.
Gjatë datës 2 janar u regjistruan rreth 19 lëkundje sizmike, ndërkohë që tërmete pati edhe në ditën e parë të vitit 2020. Që nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit, toka në Durrës ka vijuar të lëkundet sistematikisht dhe sipas sizmiologëve, këto pasgoditje janë një aktivitet normal që shoqëron për disa muaj me rradhë tërmetet e fuqishme.
Durrësi, Thumana, Tirana etj u goditën në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit nga tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, i cili shkaktoi 51 vitima dhe la pas qindra të plagosur dhe dëme të mëdha materiale në zonat pranë epiqendrës.





