NATO ka reaguar pas letrës që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i dërgoi sekretarit të përgjithshëm të Aleancës, Mark Rutte, ku kërkonte ndërhyrjen e KFOR-it për të ndaluar hapjen e urës mbi lumin Ibër dhe veprimet e autoriteteve të Kosovës ndaj serbëve. Lidhur me letrën e Vuçiç, një zyrtar i NATO-s ka thënë se Rutte është në kontakt të vazhdueshëm me presidentin serb.

Duke folur për Telegraf, zyrtari i NATO-s thotë se KFOR-i ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore në Mitrovicë, në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë. Ky proces, sipas tij, është pjesë e optimizimit të pozicionimit të KFOR-it dhe po zhvillohet me transparencë të plotë me të gjithë akterët e përfshirë, nën udhëheqjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të Komandantit të KFOR-it, Gjeneralmajorit Ulutaş.

“Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushtet dhe i kthyeshëm nëse këtë e kërkojnë zhvillimet përkatëse të sigurisë”, ka thënë zyrtari i NATO-s.

Ai ka bërë të ditur se procesi po koordinohet ngushtë me të gjithë akterët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, organizatat ndërkombëtare, Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX. Po ashtu, zyrtari ka thënë se edhe akterët lokalë janë angazhuar dhe informuar rregullisht për këtë proces, përfshirë Listën Serbe. Sipas tij, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ulutaş, është takuar më 11 gusht me përfaqësuesit e Listës Serbe, me kërkesën e tyre.

“Gjeneralmajori Ulutaş vazhdon të mbajë kontakte të ngushta me të gjithë homologët e tij kryesorë në institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë”, tha ai.

Ai ka theksuar se personeli i KFOR-it është i pozicionuar në mënyrë të tillë që të mund t’u përgjigjet zhvillimeve të mundshme të sigurisë, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Sa i përket mundësisë së rihapjes së urës mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve, NATO ka bërë të ditur se çdo vendim duhet të marrë parasysh nevojat e të gjitha komuniteteve lokale.

KFOR-i, sipas tij, vazhdon të monitorojë zhvillimet lokale dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, i cili bazohet në Rezolutën 1244 të vitit 1999, me qëllim garantimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Ai ka shtuar se KFOR-i vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që të mund të avancojnë përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga Bashkimi Evropian.

Për komentet e mëtejshme lidhur me statusin e urës, NATO i është referuar Bashkimit Evropian dhe institucioneve të Kosovës. Ndërkaq, zyrtari i NATO-s ka sqaruar se KFOR-i nuk ka mandat për zbatimin e ligjit, por bashkëpunon ngushtë me organizatat e sigurisë në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës, në përputhje me standardet operacionale dhe parimin e trajtimit të drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve.

Sipas tij, ekipet ndërlidhëse dhe monitoruese të KFOR-it vazhdojnë aktivitetet e tyre të përditshme në të gjithë Kosovën, përmes kontakteve të rregullta me komunitetet lokale, në mënyrë që misioni të jetë i pozicionuar për t’iu përgjigjur nevojave lokale të sigurisë në përputhje me mandatin e tij.

“KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe në veriun e Kosovës, dhe do të vazhdojë kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet. Çdo vendim për rihapjen e mundshme të urës për trafikun e automjeteve duhet të adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale. KFOR-i mban një prani të fuqishme dhe të dukshme në veri të Kosovës, në dobi të të gjitha komuniteteve, përfshirë komunitetin serb”, ka deklaruar ai