Gjenerali karizmatik i vrarë në Bagdad ishte një ndër personazhet më popullore në Iran dhe konsiderohej një kundërshtar i fortë për Amerikën dhe aleatët e saj.
Mijëra iranianë kanë dalë në rrugë për t’i bërë homazh gjeneralit të vrarë, Kasem Soleimani si dhe për të protestuar kundër SHBA. Madje, disa persona në rrugë i vunë flakën flamurit amerikan dhe iraken.
Zëdhënësi i trupave të Gardës Revolucionare të Iranit, Ramezan Sharif tha se SHBA dhe Izraeli së shpejti do të kenë një përgjigje të ashpër për vrasjen e komandatit Kasem Soleimani.
“Sigurisht momentet e gëzimit për amerikanët nuk do të zgjasin shumë dhe do të kthehen në vaj” tha Sharif
Franca dhe Holanda i kanë bërë thirrje qytetarëve të saj të bëjnë kujdes me situatën në Iran. Ambasada franceze në Teheran i ka kërkuar qytetarëve të saj të qëndrojnë larg protestave gjatë tre ditëve të zisë.
Edhe ministri i Jashtëm holandez ka paralajmëruar një përshkallëzim të dhunës në Bagdad dhe i ka bërë thirrje shtetasve të tij të largohen nëse munden.
Në Gjermani zëdhënësi i Angela Merkel shprehu shqetësim për përshkallëzim të situatës por gjithashtu duket se ofron mbështetje në rast të një vendimi për një sulm të mundshëm.
Ndërkohë një zëdhënëse e ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se SHBA do të ndryshojë balancat e fuqisë në rajon” duke vrarë gjeneral Soleimani.
“Kjo nuk do të çojë askund vetëm në përshkallëzimin e tensionit në rajon që do të ndikojë në miliona njerëz” shkruan ajo në facebook
Kryetari i komitetit të jashtëm të dhomës së ulët në Rusi, Leonid Slutsky, tha se amerikanët kanë kaluar vijën e kuqe dhe do kenë pasoja serioze.
Zhvillimi i fundit pritet të rrisë tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit dhe në Lindjen e Mesme.
Raportet mes dy rivalëve janë përshkallëzuar prej majit 2018 kur SHBA-ja vendosi të tërhiqet nga marrëveshja antibërthamore me Iranin.





