Nga Stela LIKMETA

Prej vitesh festat e fundvitit janë kthyer për shqiptarët në një periudhë pushimi e udhëtimi drejt destinacioneve të ndryshme. Më parë thuajse të gjithë festonin në mënyrë tradicionale në shtëpi apo në restorante, ndërsa sot, të shumtë janë ata që zgjedhin që për Krishtlindje apo natën e ndërrimit të viteve, të festojnë jashtë Shqipërisë, duke udhëtuar në destinacione turistike afër kufijve apo edhe drejt atyre ekzotike.

Për durrsakët, destinacioni i preferuar mbetet kryesisht Ballkani. Vendet me borë e europiane kanë qenë të lakmuara, ndërsa prenotimet më të shumta kanë qenë te vendet ku mund të udhëtosh me makina personale afër kufijve. Por nuk mungojnë as vendet e largëta dhe destinacionet e veçanta, e këtë vit, durrsakët kanë përqafuar një tjetër risi.

Edmond Basho, drejtori i agjencisë turistike më të madhe në Durrës, “Albtours D”, tregon për “DurrësLajm” disa nga destinacionet e preferuara:

“Edhe këtë vit ashtu si vitet e shkuara, destinacione kryesoret janë ato të Ballkanit, në kufi me Shqipërinë, që kapen me makina, ku është fluksi më i madh i prenotimeve. Këtë vit ka pasur një risi, që është i kombinuar edhe me pushime plazhi për Vitin e Ri, që është Sharm el Sheikh. Ndërsa nga destinacionet me avion është si gjithmonë Stambolli, destinacioni i preferuar për shqiptarët. Po ashtu Roma, Venecia, Zvicra, Monte Karlo”, thotë Basho.

Ndërsa për destinacionet e luksit, këtë sezon dimri, Basho pohon se nuk ka pasur ndonjë interes të veçantë.

Sa i përket çmimeve të paketave turistike, sipas drejtuesit të “Albtours D”, të festosh ndërrimin e viteve kushton nga 120 euro për 3 net deri mbi 750 euro në Sharm el Sheikh, për të gjithë ata që duan të veshin kostumin e babagjyshit, por kësaj radhe atje ku mund të bëjnë plazh e të shijojnë motin e nxehtë.

“Paketa 3 net – 120/130 euro personi ku përfshihet darka e Vitit të Ri, hoteli me mëngjes dhe darkë gjatë ditëve të tjera të qëndrimit në zonën e Strugës ose Ulqinit. Paketa të tjera po në Ballkan me 370 euro personi me të njëjtat kushte. Në udhëtimet me avion paketat variojnë mbi 450-500 euro personi”.

Por a ka ndikuar ndopak situata që shkaktoi tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit, në aktivitetin turistik të durrsakëve?

“Trendi në thelb nuk ka ndryshuar, në shifra është pak a shumë si vitin e shkuar. Ndërkohë që efekti i tërmetit, u ndje direkt pas tij, pati një stopim deri në dy javë pas 26 nëntorit, ndërsa gjatë 4-5 ditëve të fundit, kanë filluar të rifreskohen kërkesat për lëvizje. Nuk ka një bllokim të prenotimeve. Situata është rikthyer drejt normalitetit”, thotë Edmond Basho.