Mbi 80% e pasagjerëve kanë udhëtuar me avion në muajin nëntor teksa ata që bënë një udhëtim me tren ishin vetëm 136 me një rënie 96.6% në raport me nëntorin 2018. Sipas INSTAT numri i fluturimeve të kryera, në nëntor 2019 është 2.126, duke shënuar një rritje me 19,4 %, ndaj nëntor 2018.

“Numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare në nëntor 2019 është 57.335 pasagjerë. Krahasuar me nëntor 2018, ky tregues është rritur 21,8 %. Në 11 mujorin 2019, kanë udhëtuar me linjë detare 1.495.495 pasagjerë, duke u rritur me 3,5 %, krahasuar me një vit më parë. Në muajin nëntor 2019, transporti ajror i pasagjerëve zë 80,2 % të transportit gjithsej. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në 11-mujorin 2019 është 3.066.488 pasagjerë, duke u rritur me 12,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë” vlerëson Instituti i Statistikave.

Arsyeja e rënies dramatike të numrit të pasagjerëve që udhëtojnë me tren jepet nën një shënim të INSTAT ku thuhet se “numri i pasagjerëve sipas transportit hekurudhor në nëntor 2019 rezulton me 96,6% rënie krahasuar me Nëntor 2018, për shkak se Hekurudha Shqiptare ka punuar vetëm dy ditët e para të muajit për efekt të mungesës së karburantit”.

Transporti i mallrave

“Volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte, në muajin nëntor 2019 është 322 mijë ton, duke u rritur 1,6 %, krahasuar me Nëntor 2018.

Në 11-mujorin 2019, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 4,1 milion ton, duke u rritur me 15,4 %, krahasuar me vitin 2018. Volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë në muajin nëntor është 1,2 milion ton-kilometër, duke u ulur me 26,2 %, krahasuar me nëntor 2018.

Në njëmbëdhjetëmujorin 2019, volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë është 18,8 milion tonkilometër, duke u rritur me 4,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018.

Në muajin nëntor 2019, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 203 ton mallra, duke u ulur me 2,5 %, në krahasim me Nëntor 2018. Në 11-mujorin 2019, me ajër janë transportuar 2.125 ton mallra duke u rritur 5,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë 2018”vlerëson INSTAT.

Eksportet/importet e mallrave sipas mënyrës së transportit

Sipas statistikave në nëntor 2019, vlera e mallrave të tregtuara (eksport dhe import) është 77,6 mld lekë dhe 50,1 % e tyre u transportua me det. Në 11-mujorin e vitit 2019, vlera e mallrave të tregtuara (eksport dhe import) është 870,3 mld lekë dhe 52,0 % e tyre u transportua me det.  

“Në nëntor 2019, mallrat e eksportuara me det zënë 58,8%, me rrugë 40,5% dhe me ajër 0,3%. Mallrat e eksportuara me rrugë janë ulur me 7,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

Në 11-mujorin e vitit 2019, mallrat e eksportuara me det zënë 59,1%, me rrugë 39,2 % dhe me ajër 0,5%. Në 11-mujorin e vitit 2019, mallrat e eksportuara me rrugë janë rritur 3,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Në nëntor 2019, mallrat e importuara me det zënë 46,1%, me rrugë 45,6% dhe me ajër 3,8%. Mallrat e importuara me rrugë në nëntor 2019 janë ulur me 4,1%, krahasuar me të njëtën periudhë të vitit 2018. Në 11-mujorin e 2019, mallrat e importuara me det zënë 48,6%, me rrugë 43,5% dhe me ajër 3,1%. Mallrat e importuara me rrugë janë rritur me 1,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës” thuhet në raport./Monitor