Pesë vjet pas rikthimit në pushtet në Afganistan, Talibanët përballen me një opozitë të armatosur gjithnjë e më të fragmentuar, me disa grupe që pretendojnë sulme ndaj forcave qeveritare në zona të ndryshme të vendit. Megjithatë, pavarësisht shtimit të emrave, deklaratave dhe aktiviteteve në rrjetet sociale, asnjë prej këtyre grupeve nuk ka arritur të krijojë kontroll të qëndrueshëm territorial apo të paraqesë një kërcënim strategjik për pushtetin taliban.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të fundit ka ndodhur në provincën Badakhshan, ku Fronti i Lirisë së Afganistanit u përlesh me forcat talibane në distriktin Zebak. Fronti pretendoi se kishte sulmuar pozicionet talibane, kishte marrë disa pika ushtarake dhe u kishte shkaktuar humbje forcave qeveritare. Talibanët deklaruan se e kishin zmbrapsur sulmin dhe kishin vrarë disa prej agresorëve. Përleshjet zgjatën disa ditë, duke u dalluar nga sulmet e shkurtra dhe të kufizuara, që karakterizojnë zakonisht aktivitetin e opozitës së armatosur.
Sipas studiuesve të sigurisë afgane, rëndësia e luftimeve në Zebak qëndron te fakti se ato testuan nëse grupet kundërshtare mund të kalojnë nga sulmet e shpejta në përballje më të gjata. Megjithatë, një betejë e vetme nuk mjafton për të dëshmuar një ndryshim strategjik. Testi i vërtetë do të ishte aftësia për të mbajtur territore, për të siguruar furnizimet, për të zgjeruar rrjetin e luftëtarëve dhe për t’i detyruar talibanët të ndryshojnë në mënyrë të qëndrueshme dislokimin e forcave.
Fronti Kombëtar i Rezistencës ishte një nga formacionet e para të mëdha që u shfaqën pas rënies së qeverisë së mëparshme. Pas marrjes së Kabulit nga talibanët në gusht 2021, qindra ish-ushtarë dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë u zhvendosën në provincën Panjshir, ku u përpoqën ta shndërronin zonën në qendër të rezistencës. Talibanët ndërmorën një ofensivë dhe morën kontrollin e kryeqendrës së provincës dhe pjesës më të madhe të territorit.
Që atëherë, luftimet janë zhvendosur kryesisht në operacione të kufizuara dhe përleshje sporadike. Paralelisht, janë shfaqur shumë organizata të tjera, mes tyre Fronti i Lirisë së Afganistanit, Ushtria e Atdheut, Lëvizja për Liri dhe Drejtësi, Fronti Republikan, Fronti i Gjelbër, Lëvizja e Gardës Kombëtare dhe disa formacione të tjera që pretendojnë se luftojnë kundër talibanëve.
Por numri i madh i emrave nuk nënkupton domosdoshmërisht një opozitë më të fortë. Ekspertët theksojnë se disa prej këtyre grupeve janë krijuar jashtë Afganistanit dhe kanë vështirësi të krijojnë prani reale në terren. Për më tepër, pretendimet për përgjegjësi për sulme janë shpesh të vështira për t’u verifikuar. Në disa raste, më shumë se një grup ka marrë përgjegjësinë për të njëjtin operacion, ndërsa organizata me bazë jashtë vendit kanë pretenduar sulme, që u janë atribuar fraksioneve të tjera.
Rrjetet sociale janë shndërruar kështu në një tjetër fushë përballjeje. Grupet e armatosura përpiqen të dëshmojnë ekzistencën dhe aktivitetin e tyre përmes deklaratave, videove dhe materialeve propagandistike. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se një deklaratë e publikuar në internet nuk është e mjaftueshme për të provuar se një organizatë ka kryer një sulm. Verifikimi kërkon krahasimin e pamjeve, vendndodhjeve, dëshmive të banorëve dhe deklaratave të palëve të ndryshme.
Një tjetër pengesë e madhe për opozitën është lodhja e shoqërisë afgane nga dekada të tëra lufte. Sipas studiuesve, shumë prej këtyre grupeve nuk kanë arritur të përshtaten me ndryshimet që ka pësuar shoqëria afgane dhe kanë tentuar ta rikthejnë rezistencën e armatosur si një trashëgimi politike e së kaluarës.
Problemi, sipas kësaj analize, nuk është vetëm aftësia për të kryer sulme sporadike, por krijimi i besimit brenda vendit, ndërtimi i një baze sociale dhe paraqitja e një projekti politik bindës. Një opozitë që nuk lidhet me realitetin dhe nevojat e afganëve e ka të vështirë të krijojë një bazë të qëndrueshme, pavarësisht përvojës së udhëheqësve të saj.
Talibanët, ndërkohë, i minimizojnë aktivitetet e këtyre grupeve. Zëdhënësi Zabihullah Mujahid ka deklaruar se aktiviteti i opozitës është kryesisht i përqendruar në hapësirën kibernetike dhe nuk përbën kërcënim real për stabilitetin e vendit. Sipas tij, qeveria kontrollon territorin e Afganistanit dhe është në gjendje të përballet me çdo grup të armatosur që shfaqet.
Në fakt, talibanët vazhdojnë të kontrollojnë qytetet, institucionet dhe strukturat e sigurisë në të gjithë vendin. Asnjë prej grupeve kundërshtare nuk ka arritur të krijojë një zonë të qëndrueshme nën kontrollin e vet.
Megjithatë, sulmet e vazhdueshme kanë një kosto për talibanët. Ata duhet të mbajnë forca në zona malore dhe të largëta dhe të ndjekin grupe të vogla që mund të kryejnë sulme të befasishme. Për këtë arsye, edhe nëse opozita e armatosur nuk përbën aktualisht një kërcënim për rrëzimin e regjimit, ajo mbetet një sfidë sigurie.
Pesë vjet pas rikthimit të talibanëve në pushtet, pyetja kryesore nuk është më sa grupe ekzistojnë në letër, por nëse ndonjë prej tyre mund të shndërrohet në një forcë me bazë reale brenda Afganistanit. Deri tani, shenjat tregojnë më shumë fragmentim sesa një kryengritje të bashkuar. Për të ndryshuar këtë situatë, opozita do të duhej të fitonte mbështetje lokale, të ndërtonte struktura të qëndrueshme në terren dhe të paraqiste një alternativë politike që bind një shoqëri të lodhur nga lufta.





