Katër punonjës policie në Gjirokastër janë pezulluar nga detyra pas hetimeve të SHÇBA-së, pasi dyshohet se kanë lejuar kultivimin e kanabisit në fshatin Hllomo të njësisë Pogon të Gjirokastrës.
Konkretisht, janë pezulluar nënkomisari U.Sh. ish-shef i stacionit të Policisë në Dropull, nënkomisari E.R. special për hetimin e krimeve në Stacionin e Policisë Dropull, inspektori H.L. me detyrë inspektor zone në Dropull dhe inspektori S.B. ish-oficer i patrullës së përgjithshme në Dropull.
Lidhur me këto hetime, është shpallur në kërkim qytetari me iniciale A.G. nga Lazarati, ndaj të cilit është caktuar në mungesë “arrest në burg” nga Gjykata e Gjirokastrës.
Hetimi për këtë rast ka nisur më 23 Korrik të këtij vitit, ku në fshatin Hllomo u gjetën dhe asgjësuan disa bimë kanabis.
Policët akuzohen për korrupsion pasiv pasi dyshohet se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar kultivimin e kanabisit.





