“Duam drejtësi, Vangjush Dako në qeli”, është kjo pankarta që aktivistët e “Nisma Thurje” kanë vendosur pasditen e sotme në sheshin kryesor të Durrësit, “Liria”.
Aktivistët e kanë vënë pankartën pranë bredhit të Krishtlindjes. Kjo thirrje e tyre vjen një muaj pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit që la pas 51 viktima, plagosi qindra të tjerë e shkatërroi me mijëra banesa.
“Aktivistët tanë e dekoruan sot ashtu siç duhet pemën e Durrësit”, shkruhet në faqen e “Facebook”-ut të Nisma Thurje.
Ata kërkojnë dërgimin para drejtësisë për ish-kryebashkiakun Vangjush Dako, i cili për 12 vite me radhë ka drejtuar Durrësin, në lidhje me lejet e ndërtimit që ai ka dhënë apo shkatërrimin që iu ndodhi qindra objekteve pas goditjes nga tërmeti.





