Si një rreze shprese ka mbërritur në qytetin e Durrësit të shkatërruar nga tërmeti festa e Krishtlindjes. Festa e cila simbolizon rilindjen, ka sjellë një atmosferë të bukur dhe të brishtë tek qytetarët durrsakë.
Një muaj pas tërmetit që goditi rëndë të gjithë qytetin bregdetar, atmosfera festive dhe festat e fundvitit kanë sjellë shpresë te qytetarët.
Ka mjaft qytetarë që nuk e kanë marrë ende veten nga tërmeti, të tjerë që i kanë banesat të prishuara e vazhdojnë jetojnë brenda tyre, të tjerë që janë zhvendosur tek të afërmit, por tek të gjithë ka një rreze shprese që ka ardhur këtë fundvit.
Sot mijëra prej tyre kanë vërshuar në rrugë, në meshat e mabjtura në katër kishat që janë në Durrës, kanë marrë pjesë në aktivitetet e shumta argëtuese që janë zhvilluar. Ata thonë se kanë kaluar ditët e vështira të pastërmetit. Por në këtë ditë të mbushur me diell, të shumtë kanë qenë edhe qytetarët nga Tirana që kanë vizituar Durrësin e bukur tremijë vjeçar, i cili kërkon të rilindë.
K.H.





