Një 33-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është lokalizuar dhe arrestuar në Durrës, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Në kuadër të operacionit të koduar “Next”, policia arrestoi shtetasin M. T., banues në Shijak, ndaj të cilit Gjykata Penale e Breshias kishte caktuar masën “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”.

Arrestimi u krye në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe përmes Interpol Tiranës. Vijojnë procedurat për ekstradimin e 33-vjeçarit drejt Italisë.

Njoftimi i plotë:

Durrës/Operacione të njëpasnjëshme për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet operacioni i koduar “Next”.

Akuzohet në Itali, si pjesëtar i një grupi kriminal që trafikonte lëndë narkotike, kapet në Durrës dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 33-vjeçari.

Si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional me homologët në Itali, nëpërmjet Interpol Tiranës, si dhe i veprimeve të shpejta policore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, të DVP Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Next”, gjatë të cilit u lokalizua në Durrës, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi:

-M. T., 33 vjeç, banues në Shijak.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Penale e Breshias i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët italianë, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.