Lirohet nga qelia Aleksandër Gjoka, i cili deklaroi sot në sallën e gjyqit, teksa zhvillohej seanca për masën e sigurisë se “Kam dy vjet pa pirë”.

Duke theksuar disa herë se ky ishte një rast i veçuar, Gjoka ka kërkuar nga trupi gjykues ta linte në masë sigurie “detyrim paraqitje”, duke marrë parasysh edhe koncertet që ka të rezervuara me rastin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Këngëtari u arrestua dy ditë më parë, më 23 dhjetor rreth 00:15 në rrugën “Sotir Caci” duke drejtuar mjetin tip ‘Chevrolet” i dehur. 

Shërbimet e policisë i kanë bërë test alkooli 60-vjeçarit, ku ka rezultuar se këngëtari i njohur kishte konsumuar alkool mbi normat e lejuara për të drejtuar automjetin, ku nga testi doli 0.66 mg/l.

Aleksandër Gjoka është lënë i lirë, por duhet të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të muaji.

Mësohet se këngëtari shumë i dashur për publikun do të jetë sot në Korçë, ku do të performojë në një koncert përpara publikut vendas.