Ditën e shtunë më 28 dhjetor, një koncert që do të mbledhë bashkë disa nga emrat e dashur të muzikës shqiptare, do të mbahet në Durrës te pallati i kulturës “Aleksandër Moisiu”.
Ideatori i koncertit të fundvitit me temën “Së bashku do të ringrihemi”, Ardi Omeri, thotë se të ardhurat e këtij takimi tradicional durrsak, do t’i dhurojnë duke blerë libra dhe lodra për fëmijët e familjeve të dëmtura nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Aktiviteti do të kryhet në sallën e brendshme të pallatit të kulturës në orën 18:00 dhe biletat janë ende të disponueshme me çmimin simbolik 300 lekë. Ne hollin e brendshëm do të jetë një kuti, ku secili që dëshiron mund të dhurojë për fëmijët e familjeve të dëmtuara. Dhuratat e bujarisë durrsake do t’i dërgohen të gjithë fëmijëve atje ku janë aktualisht, në bashkëkoordinim me autoritetet ose me pallatin e kulturës dhe qendrën kulturore të fëmijëve”, thotë Omeri.
Koncerti zhvillohet nën regjinë e Mjeshtrit të Madh Haxhi Rama, me udhëheqës artistik Ylli Ramzotin e moderatore Habi Hoxha. Disa ndër këngëtarët që do të marrin pjesë janë: Eranda Libohova, Xhesika Gjini, Alma Rrema, Enver Qerimi në violinë etj. Sigurisht nuk do të mungojnë as notat e humorit në skenë nga ana e humoristëve, Xhevahir Zeneli, Edmond Halili, Drane Xhai, Ori Bici, Dashamir Sinanaj.