Arkitektja Entela Koja, njëherazi një nga zërat më të fortë në protestat kundër projektit TID Durrës, por edhe në protestat që vijojnë prej më shumë se 2 muajsh në Tiranë ka reaguar në rrjete sociale lidhur me VKM-në e qeverisë Rama që shfuqizon zonën e re për zhvillim në Durrës, që korrespondon me PDyV-në në zonën nr.5.
Pavarësisht se e konsideron një lajm të mirë për qytetin bregdetar, arkitektja Koja nënvizon se “ky akt nuk e shfuqizon drejtpërdrejt projektin TID Durrës”.

Në reagimin e saj Koja shprehet se 20 objekte që përfshihen në këtë PDyV dhe në projektin TID të AADF-së, “nuk mund të trajtohen më sipas skenarit fillestar mbi të cilin është ndërtuar projekti”.
Që nga shtatori i vitit të kaluar, banorët, pronat e të cilëve preken nga projekti TID, kanë vijuar betejën e tyre ligjore për të kundërshtuar projektin, si dhe kanë organizuar me dhjetëra protesta në Durrës dhe Tiranë ku kanë ngritur zërin për mungesën e transparencës institucionale lidhur me projektin në fjalë si dhe vlerën shumë të ulët për shpronësimin e pasurive të tyre të paluajtshme, që ndodhen në zonën historike të qytetit.
Duke u ndalur pikërisht tek institucionet shqiptare të përfshira në këtë projekt, arkitektja Koja shkruan se:
“Nëse ekziston vullnet institucional, ky është momenti i duhur për pezullim dhe rishikim serioz të projektit. Në të kundërt, këto akte do të kenë peshë të rëndësishme edhe në rrugë ligjore dhe institucionale.
Kjo është arsye për optimizëm.
Sepse qëndrimi ynë nuk ka qenë kurrë kundër zhvillimit, por për një zhvillim të ligjshëm, të studiuar dhe në respekt të qytetit, pronës, trashëgimisë kulturore dhe qytetarëve.
TID Durrës duhet të pezullohet dhe të rishikohet mbi realitetin e ri juridik dhe urbanistik”.
Postimi i plotë i Entela Kojës:
NJË LAJM I MIRË PËR DURRËSIN
Dua të sqaroj shkurt dhe qartë një çështje të rëndësishme lidhur me VKM-në që shfuqizon prishjen e objekteve sipas PDYV në zonën 5.
Ky akt nuk e shfuqizon drejtpërdrejt projektin TID Durrës. Megjithatë, ai prek territorin dhe disa objekte ( mbi 20) që ndodhen brenda këtij territori, per prishje sipas projektit TID Durres.
Si pasojë, këto objekte nuk mund të trajtohen më sipas skenarit fillestar mbi të cilin është ndërtuar projekti. Kjo do të thotë se ndryshojnë kushtet bazë të projektimit dhe zbatimit të TID-it.
Ky ndryshim krijon një argument të ri, të rëndësishëm dhe ligjor për pezullimin dhe rishikimin e projektit TID Durrës, përpara çdo ndërhyrjeje të pakthyeshme në territor.
Nëse ekziston vullnet institucional, ky është momenti i duhur për pezullim dhe rishikim serioz të projektit. Në të kundërt, këto akte do të kenë peshë të rëndësishme edhe në rrugë ligjore dhe institucionale.
Kjo është arsye për optimizëm
Sepse qëndrimi ynë nuk ka qenë kurrë kundër zhvillimit, por për një zhvillim të ligjshëm, të studiuar dhe në respekt të qytetit, pronës, trashëgimisë kulturore dhe qytetarëve.
TID Durrës duhet të pezullohet dhe të rishikohet mbi realitetin e ri juridik dhe urbanistik.





