Kur talibanët e morën pushtetin me forcë në Afganistan në vitin 2021, qindra mijëra afganë, të frikësuar për jetën e tyre, u larguan drejt Pakistanit fqinj.
Pesë vjet më vonë, mijëra prej tyre vazhdojnë të qëndrojnë në këtë vend të Azisë Jugore, në pritje të zhvendosjes në vende të treta, shpesh duke jetuar të fshehur për t’iu shmangur dëbimit drejt atdheut.
Në mesin e tyre ka gazetarë, aktivistë, si dhe njerëz që shërbyen në qeverinë e rrëzuar afgane, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, si dhe në shërbimet e saj të sigurisë dhe inteligjencës.
Shumë prej tyre kanë frikë nga hakmarrja e talibanëve, të cilët janë akuzuar për vrasje jashtëgjyqësore dhe torturim të ish-kundërshtarëve.
Islamabadi ka dëbuar me forcë qindra mijëra afganë në vitet e fundit, ndërsa më shumë se 2.6 milionë afganë janë kthyer në Afganistan nga Pakistani që nga fillimi i një fushate dëbimesh në vitin 2023, sipas Kombeve të Bashkuara.
Në mesin e dhjetëra mijëra afganëve në rrezik që vazhdojnë të qëndrojnë në Pakistan është një ish-oficer i Ushtrisë Kombëtare Afgane.
Ai tha se gjatë dy vjetëve të fundit është arrestuar dhe dëbuar dy herë nga policia pakistaneze. Në të dyja rastet, ai u ka dhënë ryshfet policëve kufitarë pakistanezë për ta lejuar të hyjë prapë në vend.
Shumë afganë në Pakistan kanë viza të skaduara dhe përballen me pengesa të mëdha për rinovimin e dokumenteve të tyre. Pak prej tyre kanë të drejta në Pakistan, ku nuk mund të punojnë, të studiojnë, madje as të marrin me qira prona.
“Thjesht pata fat që iu shmanga talibanëve”, tha 30-vjeçari, i cili foli në kushte anonimiteti për arsye sigurie. Ai tha se grupi militant islamist shpesh kontrollon afganët që kthehen në vend në kufi, për t’i identifikuar ish-luftëtarët.
*Video: Marrja e Afganistanit nga talibanët
Nëse do të kapej, tha ai, do të burgosej ose ekzekutohej.
Gjysma e familjes së tij është zhvendosur në Kanada që nga viti 2021, ndërsa pjesa tjetër vazhdon të jetojë në Afganistan. Kërkesa e tij për t’u zhvendosur në Kanada u refuzua dhe tani ai është në pritje të zhvendosjes në Australi.
Burri, i cili nuk tregoi se ku jeton në Pakistan, tha se përpiqet të mos tërheqë vëmendjen dhe del jashtë vetëm kur është e nevojshme.
“Ne kemi ndaluar së veshuri rrobat tona tradicionale afgane në publik”, tha ai duke iu referuar komunitetit afgan. “Nuk flasim me njerëz që nuk i njohim dhe nuk shkojmë në restorante – e gjithë kjo nga frika se mos arrestohemi nga policia lokale”.
Një aktiviste afgane për të drejtat e grave jeton me dy vëllezërit e saj në një zonë të largët jashtë Islamabadit, për t’iu shmangur policisë pasi vizat e tyre skaduan.
“Jeta është shumë e vështirë dhe madje shmangim shkuarjen te mjeku ose në spital”, tha ajo në kushte anonimiteti, “sepse mund të raportohemi në polici”.
Gruaja tha se ka frikë të kthehet në Afganistan, ku talibanët kanë krijuar një nga regjimet më shtypëse në botë, duke u mohuar shumë afganëve të drejtat e tyre themelore, veçanërisht grave.
Grupi radikal ka kufizuar ashpër paraqitjen e grave dhe vajzave në publik, lirinë e tyre të lëvizjes dhe të drejtën për të punuar e studiuar, duke i fshirë praktikisht gratë nga jeta publike.
Një tjetër aktiviste afgane për të drejtat e njeriut u largua nga Afganistani menjëherë pas marrjes së pushtetit nga talibanët. Ajo tha se babai i saj, një inxhinier, u vra nga talibanët për shkak se kishte punuar për qeverinë e mëparshme afgane.
“E kalojmë ditën në parqe publike ose ndonjëherë në oborret e spitaleve nga frika e bastisjeve gjatë ditës në apartamentin tonë me qira”, tha ajo, duke folur në kushte anonimiteti.
Ajo tha se gjashtë muaj më parë, policia bastisi për herë të dytë apartamentin e saj me qira dhe e arrestoi atë së bashku me tri motrat e saj, për shkak se nuk kishin viza të vlefshme. Gruaja tha se shmangu dëbimin pasi pagoi ryshfet, por tri motrat e saj u dëbuan me forcë.
“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të jetosh në Pakistan dhe është e vështirë që një vend i tretë të të pranojë”, tha ajo. “Kudo që shikojmë, gjendja duket e zymtë”.
Pakistani thotë se afganët e cenueshëm përjashtohen nga dëbimi për arsye humanitare. Ministria e Jashtme e Pakistanit tha më 30 gusht se 16.000 afganë në rrezik po përfitojnë nga ky përjashtim.
Por, OKB-ja e vlerëson numrin e afganëve të cenueshëm si dukshëm më të lartë.
Më shumë se 74.000 afganë që jetojnë në Pakistan përballen me rreziqe serioze nëse kthehen në Afganistan, sipas Qaiser Khan Afridit, zëdhënës i Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) në Pakistan.
“Kjo do të thotë se shumë njerëz që mund të jenë në rrezik serioz ende nuk janë identifikuar ose nuk janë përfshirë në ndonjë listë qeveritare”, tha Afridi. “Disa mund të jenë duke qëndruar të fshehur, sepse kanë frikë të dalin”.
Afridi tha se një problem shtesë është se afganëve të cilëve u është dhënë përjashtim nuk u sigurohen në mënyrë të vazhdueshme dokumente që konfirmojnë statusin e tyre të mbrojtur.
“Si rezultat, autoritetet lokale mund të mos jenë në gjendje të identifikojnë se kush është i përjashtuar, duke bërë që disa njerëz të mbeten në rrezik të vazhdueshëm të arrestimit, kthimit me forcë, abuzimit ose humbjes së qasjes në shërbimet bazë”, tha ai./REL





