Piktori pogradecar Gentian Zeka kishte zgjedhur të prezantohej para artdashësve durrsakë me 63 tablo, të cilat u bënë pjesë e ekspozitës së tij personale të hapur mbrëmjen e së premtes në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia”.
Nuk janë punime që piktori i ekspozon për herë të parë, pasi ato kanë qenë pjesë edhe të ekspozitave të tjera të hapura në qytetin e tij të lindjes, por të gjitha së bashku kanë një lidhje organike, që na e shpjegon vetë artisti i talentuar.
Artisti Zeka dallohet për krijimtarinë e pasur dhe shumëdimensionale, përmes pikturës, grafikës, vizatimit, skulpturës, objekteve dhe vitrazhit. Ajo që bie në sy, ndërsa sheh tablotë e ekspozuara është stili unik që ai ka, teksnikat e ndryshme që përdor në kanavacë, por edhe ndikimi i fortë që ikonografia ka ushtruar në krijimtarinë e Gentian Zekës.
Për mikun e tij, Neli Naço, artisti Zeka është një mjeshtër i ngjyrës, ndërsa krijimtaria e tij ka qenë gjithnjë në evoluim, duke eksperimentuar në shumë rryma të artit të pikturës dhe duke perfeksionuar gjithnjë e më shumë stilin e tij.
Me 36 ekspozita individuale dhe 28 ekspozita në grup, si dhe fitues i Çmimit të Parë në konkursin mbarëkombëtar “Vangjush Mio” në vitin 2008, artisti Zeka vijon të krijojë një univers të veçantë, ku vepra nuk zbulohet menjëherë, por fton publikun të imagjinojë, të ndiejë dhe të interpretojë. Ekspozita e tij do të qëndrojë e hapur deri më 21 shtator.
M.B.





