Në përfundim të mbledhjes së kryesisë, kryeministri Edi Rama deklaroi se PD dëmtoi veten kur vendosi që të djegë mandatet, duke u larguar nga parlamenti.
Teksa u pyet nga gazetarët për krizën politike në vend si dhe për faktin nëse do të kishte sërish një thirrje për opozitën dhe liderin e saj, Lulzim Basha, Rama pohoi se qeveria do ishte e gatshme që të dëgjonte çdo sugjerim, ndërsa ripërsëritit edhe njëherë thirrjen për dialog.
“PD e ka marrë vendimin vetë për t’u larguar nga Parlamenti dhe me këtë ka dëmtuar rëndë veten e saj, por qeveria është votuar për të qeverisur e jo për të pritur të zgjohen të tjerët nga gjumi. Unë mendoj që vendi s’ka vakum, s’ka se Kuvendi funksionon, procesi legjislativ ecën, ne reformat po i çojmë përpara me prioritete që kemi përcaktuar. Do ishte mirë që PD të ishte në Parlament, ka marrë vendimin e vet të iki, është një vendim që tregon se ka dëmtuar rëndë vetë PD padyshim që s’e ka bërë më të mirë jetën politike të vendit. Por nuk është se e ka cënuar për mosfunksionim, mund të funksiononte më mirë, por gjithmonë, nuk ka diskutim që ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezë, të diskutojme, të dëgjojmë, reflektojmë, kur ka ide pozitive, por ne jemi të votuar e dënuar të udhëheqim, s’jemi për të pritur që dikush të zgjohet nga gjumi apo të përfundojnë shtriqjen para se të vijnë në punë.”





