Elvis Metvelaj, 42 vjeç, i konsideruar nga autoritetet italiane si autor për vrasjen e 46-vjeçares Ornella Forastefano, ka zgjedhur të mos i përgjigjet pyetjeve gjatë seancës së zhvilluar këtë të martë, para gjyqtarit të hetimeve paraprake në Bari.
Mediat e huaja raportojnë se, Metvelaj u ndalua nga policia italiane në portin e Barit teksa tentonte të largohej, ndërsa sot u paraqit para gjyqtarit të hetimeve paraprake të kryeqytetit të Puglias për seancën dëgjimore.
I shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës, 42-vjeçari shfrytëzoi të drejtën ligjore për të heshtur. Prokuroria e Barit ka kërkuar zyrtarizimin e arrestimit dhe vendosjen e masës “Arrest në burg”, ndërsa gjyqtari ka rezervuar vendimin, i cili pritet të shpallet gjatë orëve në vijim.
Pasi të shprehet mbi masën e sigurisë, gjyqtari në Bari pritet të deklarojë moskompetencën territoriale dhe t’ia kalojë dosjen Prokurorisë së Castrovillari-t në Kalabri, rajon ku ndodhi edhe krimi i rëndë.





