Presidenti i ekipit të futbollit të Turbinës së Cërrikut, Gentian Gjoka 45 vjeç me origjinë nga Vlora, është arrestuar mbrëmjen e djeshme në zonën e ish-Bllokut, pasi nga kontrolli fizik dhe në banesë iu gjet një armë zjarri pistoletë, me një krehër me fishekë.

Operacioni sipas policisë u bë pas informacioneve nga qytetarët se një person në kërkim qarkullonte me armë zjarri. Pas lokalizimit, ai u prangos në rrugën “Medar Shtylla”. Më pas nga verifikimet rezultoi se Gjoka ishte i shpallur në kërkim për llogari të policisë së Vlorës për mashtrim.

Tashmë Gjoka do të përballet me drejtësinë me akuzën e armëmbajtjes pa leje duke rrezikuar 7-15 vite burg, por edhe mashtrimit. Armëmbajtja pa leje në Kodin Penal ishte me burgim nga tre deri në shtatë vjet, por me ndryshimet në kodin e ri rritja e dënimit u bë nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.