Gazetari dhe analisti i njohur, Artur Zheji, ka zbritur para Parlamentit ku i është bashkuar protestës së gazetarëve dhe mediave kundër paketës “antishpifje”.
Zheji thotë se pjesëmarrja e gazetarëve në protestë edhe pse e vogël në numër, kauza e tyre do të vijojë mbrojtjen e fjalës së lirë.
“Jemi shumë pak. Realisht jemi shumë pak, është një protestë e mirë, por e pakët në numër. Pakica jo rrallëherë ka pasur të drejtë dhe një shumicë fiktive ka vendosur në emër të të gjithëve. Sot po bëhet një turp mbi lirinë e munguar ndaj mediave. Më mirë që jemi sot pak e sak, dhe të paktën kur kapërcehen apo shkruhen faqet e historisë, njerëzit firmosin një pakt që përputhet me nderin e tyre. Në do të rezistojmë. Tani, është përllogaritur që kjo paketë të mbjellë frikë. Ne akoma jemi tek abetarja e demokracisë, nuk kemi pse habitemi”, tha mes të tjerash, gazetari Artur Zheji.





