Gazetarët janë mbledhur para Kuvendit për të protestuar kundër “paketës antishpifje”. Në një prononcim për Ora News, gazetari Enton Abilekaj iu bëri thirrje të gjithë gazetarëve t’i bashkohen protestës.

“Nuk kundërshtojmë një pikë të ligjit, por të dy ligjet në tërësi sepse mohojnë fjalën e lirë. Krijojnë një administratë që merr kompetencat e gjykatës dhe duhet të kthehen mbrapsht. Nuk diskutojmë teknikalitete. Kur vjen diktatura nuk diskutojmë cila pjesë pranohet dhe cila jo, refuzohet i gjithë regjimi diktatorial. Kundërshtojmë përpjekjen e fundit për të marrë në dorë Edi Rama çdo pushtet në Shqipëri”.

Abilekaj ftoi të gjithë gazetarët në protestë.

“Unë i ftoj të vijnë të gjithë edhe ata që mungojnë sot këtu dhe që nuk i janë bashkuar në një formë apo një tjetër. Kjo nuk çështje e një grupi gazetarësh. Gazetarët nuk mund të ndahen në pro dhe kundra, gazetarët janë gazetarë dhe mbrojnë të drejtën e tyre për të folur, lirinë e tyre. Nëse i mohohet liria e medias ata që e përfitojnë duket sikur përfitojnë por do u vijë radha dhe atyre.”